Kusari-Lila akuzoi AAK-në për vjedhje të naftës në QMF-të, Gjini thotë se këso akuza bën vetëm një “person i shkalluar”

Kusari-Lila akuzoi AAK-në për vjedhje të naftës në QMF-të, Gjini thotë se këso akuza bën vetëm një “person i shkalluar”

Kandidati i komunës së Gjakovës, Ardian Gjini, i është përgjigjur akuzës së kundërkandidates, Mimoza Kusari Lila, se vjedhja e naftës së Qendrat e Mjekësisë Familjare janë të lidhura me AAK-në.

Kusari Lila e cilësoi skandal vjedhjen e naftës në QMF-të në Gjakovë në emisionin Pressing në T7, ndërsa tha se është e lidhur me blerjen e votave nga AAK.

Gjini thotë se Policia do të hetojë rastin dhe do ta gjejë fajtorin, teksa ka thënë se kush bën këso akuza duhet të jetë “person i shkalluar”

“Prej anës së AAK-së, asnjë votë e vetme nuk është e keqpërdorur. Kemi pasur takime, është ndërtuar kulturë prej vitit 2017, në asnjë mënyrë nuk kemi abuzuar me vota. Por kjo nuk ka vlejtur për Mimozën. Tani do të dalë e vërteta në raundin e dytë. Në zgjedhjet e vitit 2017 kemi pasur vota të blera duke shpërndarë thasë me miell nëpër familje. Aleanca nuk e bën një gjë të tillë. Nuk e kemi në kulturë këtë. Nuk e kam parë emisionin por më kanë thënë. Është për të ardhur keq. Me dalë një kandidate serioze dhe me përvojë në politikë, dhe të thotë se në një QMF që janë vjedhur disa litra naftë, sado qofshin ato, e i ka vjedhur Aleanca, duhesh të jesh person i shkalluar. Policia do t’i hetojë rrethanat dhe do të dalë e vërteta. Në Gjakovë prej që kanë filluar fushatat. Cdo 5 ditë po shkulen sistemet e ndriçimit në park, shkulen në Krenë e ne shkojmë prapa i rregullojmë. Askush nuk më kë dëgjuar që kam thënë se rrugaçët e Mimozës po e prishin ndriçimin publik në Gjakovë. 1 milion herë kam pasur më shumë arsye unë të them se dikush po shkul ndriçimin për të sabotuar fushatën zgjedhore timen se sa të themi po vidhet nafta për të blerë vota”, tha ai në emisionin dPt te Fidani në T7.

Tutje ai shtoi se gjatë gjithë fushatës nuk ja ka përmendur emrin asnjëherë kundërkandidates dhe nuk ka pritur akuza të tilla para raundit të dytë.

Gjini ka pasur 46% të votave kundrejt 37.08% të Kusari Lilës në raundin e parë.

Shpërndaje në: