Kusari-Lila: Haradinaj e shfrytëzoi ftesën nga Haga, ishte kryeministri më i keq i Kosovës

Kusari-Lila: Haradinaj e shfrytëzoi ftesën nga Haga, ishte kryeministri më i keq i Kosovës

Kryetarja e Alternativës, Mimoza Kusari-Lila në një intervistë për Periskopin ka folur rreth zhvillimeve të fundit në vend. Ajo dorëheqjen e Ramush Haradinaj nga posti i kryeministrit e sheh si të vonuar, ndërsa thotë se po e shfrytëzon ftesën nga Haga në ngritje të popullaritetit të tij, si dhe për aspektin elektroral.

Kusari-Lila tregon edhe kur vendi do të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme. Ajo flet  për prioritetet që duhet t’i ketë  Qeveria e ardhshme dhe për fatin e taksës dhe dialogut me Serbinë.

Intervista e plotë:

Periskopi: Si  e shihni dorëheqjen e Ramush Haradinajt nga posti i kryeministrit. Përveç arsyes që e ka shprehur për shkak të thirrjes në Hagë, a u bë kjo  për qëllime politike të tij?

Kusari-Lila: Rasti i fundit për të cilin kemi pritur që Ramush Haradinaj të tërhiqet, është ftesa për në Hagë. Për arsye se kishte kaluar nëpër këtë proces dy herë më përpara dhe kishte dalë i pafajshëm,   përderisa si qeverisje dhe si qeveri ka qenë më e keqja në periudhën e pasluftës në Kosovë. Ka pasë një mori skandalesh. Në numrin e ministrave me aktakuza, me mungesë të përgjegjësisë dhe llogaridhënies për obligimet shtetërore dhe natyrisht në mungesë të kompetencës. Mendoj se kryeministri Haradinaj është dashtë të japë dorëheqje më herët, në momentin kur s’ka mund të kontrollojë një numër të madh të digasterëve në qeverinë e tij, për shkak se asisoji ka qenë i ndarë pushteti, sa secila parti politike ka qeverisë totalisht e pavarur nga kryeministri, në digasteret të cilat u kanë takuar. Prandaj çfare do qoftë tash komenti pas asaj që ka ndodh, po e lë një reflektim edhe në aspektin elektoral edhe në ngritjen e popullaritetit të tij, për arsye se po thirret në kartën në të cilën në vazhdimësi e di se ka pasë ngritje të popullaritetit, për faktin që flitet për një periudhë të lavdishme të popullit, por edhe për një periudhë kur krejt për atë që kemi kalu si popull, natyrisht janë ndjerë meritorë pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Sa i përket, dorëheqjes, kjo është dashtë me ndodh shumë më herët. Konsideroj se krejt ato fjalë, ai entuziazëm dhe ajo dashuri e shprehur e tij për Kosovën, është dashur të bëhet më herët dhe të kishte marrë fund pushteti kur ka pa se po i shkakton dëm vendit qeverisja e tij, me vendime dhe dëme shumë të mëdha.

Periskopi: Kur mendoni se do të shkojë vendi në zgjedhje të jashtëzakonshme?

Kusari-Lila: Vendi besoj që do të shkojë në zgjedhje në fillim të shtatorit, ashtu sipas afateve kushtetuese. Do të varet edhe prej bisedave që partitë politike i kanë me presidentin.  Por nuk mendoj që do të shkojë shumë gjatë pa u mbajt zgjedhjet, prej momentit kur vendoset 30 apo 45 ditë siç e parasheh Kushtetuta e Repubikës së Kosovës.

Periskopi: Çka pritet nga këto zgjedhje? Kush duhet ta udhëheqë Qeverinë e ardhshme?

Kusari-Lila: Unë besoj që është moment ideal që të ketë një ndryshim substancial në Qeveri. Do të varet nga marrëveshjet dhe diskutimet opozitare. Është shumë e rëndësishme që edhe ato të kenë një strategji, pasi vendimi i Gjykatës Kushtetuese për dhënien e mandatit për formim të Qeverisë nga partia e parë me rezultat nga zgjedhjet, ka vendosur një precedent të ri, i cili tashmë në dy palë zgjedhje po e përcakton formën se si partitë organizohen. Prandaj edhe kjo është një pikë shumë e rëndësishme për partitë opozitare që ato bashkërisht të kenë një strategji në atë se si mund të mandatohen së bashku dhe të kenë mandatin e Qeverisë së ardhshme.

Periskopi: Cilat duhet të jenë prioritetet e Qeverisë së ardhshme?

Kusari-Lila: Qeveria e re mbi të gjitha duhet të ketë guxim të ndërmarrë vendime të rëndësishme, në veçanti në reformën fiskale dhe në reformën në buxhet apo shpenzime kapitale. Po ashtu edhe në formë të administratës publike. Përfshirë këtu edhe riorganizimin politik dhe zvogëlimin e numrit të ministrive. Më se e domosdoshme është që të ketë një plan strategjik sa më të shpejtë për reformën dhe rikonsolidimin e ndërmarrjeve publike. Tashmë gati se, pa përjashtim nuk ka ndërmarrje publike që nuk ballafaqohet me probleme shumë serioze, siç është rasti i Telekomit. E njëjta duhet të jetë edhe me këshilltarët, numrin e zv/ministrave dhe në zvogëlimin e Qeverisë. Kjo Qeveri në ikje ka bërë një propagandë që kinse janë në përgatitje të një Ligji për Qeverinë, përderisa vetë kanë shkelë çdo normë dhe çdo parim në të cilin ata janë thirrë se do ta bëjnë në të ardhmen. Por nuk ka nevojë të thuhet që do të ketë Ligj dhe vendim politike i cili zvogëlon dukshëm numrin e tyre, por edhe ulë privilegjet dhe shpenzimet. Sepse është banale të flitet më për shpenzimet dhe luksin në shtetin më të varfër në Evropë.

Periskopi: Çka duhet të ndodh me taksën dhe dialogun me Serbinë?

Kusari-Lila: Taksa e ka tejkalu vetëveten. Në fillim ka pasë një efekt, por pasi që nuk ka pasur një objektiv të qartë, pastaj ka arritë gradualisht duke e izolu Kosovën dhe duke e sjellë në një situatë të papërshtatshme. Me Serbinë, domosdo duhet të ketë një masë e cila Serbisë ia mban në të njëjtin nivel të them sanksionet,  njëjtë me të cilat ajo ia shtron Kosovës . Përderisa në disa elemente, siç është politika e jashtme, ne jemi më të pafuqishëm se sa që është Serbia. Duhet të shikojmë mënyrën se çfarë mekanizma ka Kosova dhe që ia rikujton qasjen destruktive Serbisë gjatë gjithë kohës. Por, taksa në vendimin siç është marrë si Qeveri, duhet të anulohet dhe të ketë masa reciproke. Kjo duhet të tregohet saktë dhe qartë për secilën arsye. Përderisa për dialogun duhet të ketë rishikim të marrëveshjeve të deritashme, strategji dhe unitet politik, në mënyrë që bashkërisht spektri politik të jetë i unifikuar karshi Serbisë, e jo siç e kemi pasë rastin tash, me qëndrime të ndara.

Intervistoi: Kaltërina Misini

Shpërndaje në: