Kusari: Më 1 shtator presim të fillojë zbatimi i masave për letërnjoftime dhe targa

Periskopi.com Lajme

Shefja e deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila ka thënë se presin fillim të zbatimit të vendimit për reciprocitet më 1 shtator.

“Parashohim të fillojë zbatimi normal i vendimit, shtyrja ka qenë koordinim i qeverisë, presidencës, ShBA-së dhe BE-së, për shkak të një fushatë të madhe dezinformuese nga shteti i Serbisë, dezinformata më raport me procedurën e zbatimit”, ka thënë ajo.

Kusari-Lila ka folur në një konferencë për media ku ka paraqitur punën e deputetëve të mazhorancës për sesionin vjeshtor.

Ajo ka thënë se Ligji i pagave dhe Kodi civil do të trajtohen gjatë sesionit vjeshtor.

Për këtë të fundit ka thënë se është optimiste që do te miratohet në vjeshtë.

“Po të dyja do të trajtohen në sesionin vjeshtor, Ligji i pagave dhe Kodi civil. Kemi mendime ndryshe më kuadër te grupit, megjithatë si legjislacion është vlerësuar si më i rëndësishmi pas Kushtetutës së vendit. Nuk është një dokument që duhet të thjeshtësohet në një çështje ashtu siç ka pasur tendencë, është prej dokumenteve më voluminoze që rregullon jetën e qytetarëve prej lindjes. Përkundër mendimeve ndryshe, jemi optimistë që do të kalojë në sesionin vjeshtor”, tha ajo.