Kush e qeveris Kosovën?

Kush e qeveris Kosovën?

Mjeranët krijuan zotin sepse nuk mund të jetonin me barrën e fajësisë për mjerimin e tyre. Iu duhej që ta derdhnin fajin tjetërkund në mënyrë që të frymonin më kollaj. Kështu foli Niçe. Krijimi i zotit çoi në krijimin e pashmangtë të dreqit dhe në dikotominë e të mirës dhe të keqes. Brenda asaj skeme ekzistonte zoti si e mira absolute dhe dreqi si e keqja absolute. Ekzistonte e mira absolute dhe e keqja absolute në çdo gjykim. Ekzistonte e vërteta absolute dhe rrena absolute. Drejtësia absolute dhe padrejtësia absolute.

Kjo është forma e qelbur e të menduarit religjioz që ndodhet e rrasur thellë në të ashtuquajturën politikë kosovare.

Mjeranë ka me bollëk, ata na qeverisin. Jemi shoqëri e pakualifikuar punëtore që angështohet nga tregu i punës. Nuk jemi të zotët të kryejmë asnjë punë që ka tamam vlerë. E prandaj, derisa e trilluam gjysmën e punëve në këtë treg duke krijuar një skemë fiktive prodhimi, na u desh që të krijonim zotat tonë në mënyrë që ta shkarkonim barrën e fajit për mjerimin tonë nga kurrizi ynë. Krijuam politikanët – por duke i menduar si zota. Të gjithë ata, për të gjithë ne mjeranët, u bënë zota të fatit tonë duke marrë të gjitha meritat dhe të gjithë fajin për çka ndodhte me ne. Betejat e tyre politike, në emisione politike e seanca kuvendi – për mendjet tona të vogla – u kuptuan si beteja të mëdha mes të mirës dhe të keqes e jo si përplasje banale idiotësh. Njerëzit e dhanë vullnetshëm lirinë e tyre dhe u gozhduan para televizorëve – duke menduar se aty po prodhohej madje edhe intimiteti i tij më i thellë, dhe të gjitha gjërat e tjera personale. Këta zota të konvertueshëm në dreqër për mendjet tona të vogla kishin faj për frustrimet tona private, për dembelinë tonë, për analfabetizmin tonë, për pazotësinë e patalentin, dhe natyrshëm edhe për mjerimin e përgjithshëm.

E kam thënë edhe në disa shkrime të tjera: ideja se jemi shoqëri e politizuar nuk është e vërtetë. Në fakt, ne nuk jemi aspak të politizuar sepse nuk njohim përnjëmend pozicionin tonë klasor, hallet tona e të vendbanimit ku jetojmë, e në fund të fundit ose fillim të fillimit, as problemet më bazike politike të vendit. Çdo problem i vërtetë që kemi – qoftë mundësitë e vogla të punës, qoftë rroga, mungesa e kushteve të punës, mungesa e mundësisë për të prosperuar e prodhuar – trohitet si mendim dhe si pozicion ndërluftues për të mbetur thjesht si ndjenjë për konsum politik. Njëri zot sulmohet me të gjitha hallet njëherësh, ndërsa tjetri zot shpallet si i vetmi zot, si zgjidhësi i të gjitha këtyre halleve.

E vërteta është se kryezoti i tashëm, ky që lëngon të thotë se nuk ka zot tjetër përpos tij, Albini, me programin e tij të dobët nuk do të mund të zgjidh asnjë nga problemet tona. Hiç asnjë. Nuk do të mund të ofrojë as drejtësi e as zhvillim, as zbutje të pabarazisë, as kualifikim të fuqisë punëtore, as çelje të vendeve të reja të punës, e as rritje të aktivitetit nga bizneset e vogla e të mesme. Pse? Sepse në programin e tij qesharak vendin thelbësor e zë shpresa religjioze për ndodhi të papritura: diaspora do të vijë të investojë krejt papritmas, investitorët e tjerë të huaj do të vijnë të investojnë krejt papritmas, gjykatësit do të profesionalizohen vetvetiu e papritmas, shoqëria e pakualifikuar punëtore do të vetëkualifikohet papritmas, e kështu me radhë.

Në fakt, politika kosovare nuk ka dhe nuk do të ketë kurrfarë ndikimi real në jetën tonë. Ndryshimet e mëdha nuk vijnë me potere e zhurmë, por në mënyrë të heshtur. Dhe jo nga këta zotër rrebanë që herë ishin për revolucion e herë për demokraci, por nga ekspertë anonimë që as emrin s’jua dimë, nga ndërmarrës të suksesshëm, nga inovatorë potencialë.

T’i kthehemi tregut të punës. Cili është profesioni i presidentit Hashim Thaçi? Çka ka punuar ky person para se të merrte pozicionet politike? Cili është profesioni i kryeministrit Albin Kurti? Çka ka punuar ky para se të bëhej deputet e kryeministër? Edhe njëri e edhe tjetri janë fuqi e pakualifikuar punëtore. Të dy këta janë mjeranë dhe joprodhues. As njëri e as tjetri nuk kanë kryer kurrë një punë të hairit për vendin ku jetojnë brenda fushave në të cilat kanë studiuar. Pra, as njëri e as tjetri nuk është zot i fatit tonë – janë thjesht të arratisur si dembelët nga fatet e tyre, nga profesionet që duhej të merrnin për t’i shërbyer shoqërisë.

Prandaj, është qesharake e tragjike njëherësh të shohësh kaq shumë njerëz që nuk ngurrojnë të dhunojnë verbalisht mbi secilin që nuk pajtohet se zoti i tij është kryezoti. Që poshtërojnë në mënyra meskine dhe linçojnë në mënyra perfide. Është qesharake, vetëm qesharake, të shohësh njerëzit derisa frikësohen se mos po mbeten pa qeveri “në këtë kohë të rëndë”. Ose, se çka po ndodh nga përplasja mes “kryeministrit dhe presidentit”. Çka ka ndodhur në të kaluarën? Asgjë. Dhe asgjë nuk do të ndodh sepse vendi në kohë krizash, ashtu edhe si në kohë të mira, qeveriset në fakt nga profesionistë e ekspertë dhe jo nga dembelë e pallavraxhi.

Shpërndaje në: