Kush është avokati i Edi Ramës që do të nis procesin gjyqësor kundër BILD-it?

Kush është avokati i Edi Ramës që do të nis procesin gjyqësor kundër BILD-it?

Edi Rama njoftoi sot se ka angazhuar një avokat gjerman për të ndjekur gjyqin kundër gazetarit të BILD, Peter Tiede, i cili publikoi përgjimet e blerjes së votave me bandat kriminale në Durrës dhe Dibër.

“Sapo i kam dhënë prokurën avokatit gjerman Matthias Prinz, për nisjen e procesit gjyqësor mbi publikimet e BILD! Gjykatat gjermane le ta vendosin kush ka të drejtë e kush ka faj në këtë mes. E bëj sepse shqiptarët meritojnë ta dinë të vërtetën nga drejtësia e atij vendi pa hije”, shkruante Rama në Twitter.

Pas këtij njoftimi të kryeministrit shqiptar ka reaguar vetë gazetari i BILD,  Peter Tiede. Ai ka komentuar në  profilin e Ramës në Twitter ku e pyet: Për çfarë më akuzoni? Më akuzoni për publikimin e së vërtetës?

Gazetari gjerman Peter Tiede, pas deklaratës së kryeministrit Rama për nisjen e procesit gjyqësor mbi publikimet e BILD, është shprehur se kjo është një çmenduri. Sipas Tiede, Rama ka marrë një prej avokatëve më të shtrenjtë në gjermani për ta mbrojtur.

“Ai tashmë ka të paktën një avokat – në fund të fundit, një nga ato më të shtrenjtët në Gjermani … por ai nuk ka më shumë …

Ndërkohë, ai ka bërë fushatë për zgjedhjet e anuluara – të mbrojtura nga më shumë se 1000 oficerë policie…”, shkruajti Tiede në rrjetet sociale.

Nga një kërkim i shpejt në internet për avokatin Matthias Prinz, rezulton se ai është emër i specializuar në fushën e ligjeve për reputacionin, shpifjen, mediat dhe argëtimin.

CV-ja e tij është mjaft e pasur në mbrojtjen e VIP-ave, ku mes tyre përmendet David Beckham, familja mbretërore suedeze, Audi, T-Mobile, Volskëagen, princesha e Hanoverit etj. Ndonëse padia e Ramës është e pazakontë, duke qenë se përgjimet janë faktike dhe kushdo gazetar që do t’i kishte, do t’i publikonte, ajo që shtrohet si pyetje është se kush do ta paguajë avokatin e Kryeministrit? Tarifat e tij janë shumë të kripura.

Bëhet fjalë për një pagesë 750 euro në orë. Rroga mujore e Edi Ramës llogaritet diku tek 1500 euro.

Reagimi nga shoqatat në mbrojtje të gazetarëve.

4 ditë më parë, 7 organizata joqeveritare në një mision tre-ditor në Tiranë, shprehën shqetësimin se autoritetet shqiptare nuk po përmbushin detyrimet ndaj ligjit vendas dhe instrumenteve ndërkombëtare për të garantuar lirinë e shprehjes dhe të medias. Ndër të tjera, në raportin e paraqitur prej tyre theksohej se në mjedisin mediatik në Shqipëri ka patur një përkeqësim të sigurisë, kushteve të punës dhe aksesit në informacion të gazetarëve.

Në ndjekje të njoftimit të përhapur për vendimin e kryeministrit Edi Rama, për të nisur një proces ligjor ndaj gazetarit gjerman, Peter Tiede, i cili publikoi në tablodin gjerman “Bild” përgjimet mbi dosjet 339 dhe 184, një prej organizatave, “ECPMF”, ka reaguar përmes një postimi në “Twitter”.

“ECPMF” nënvizon se Rama duke iu drejtuar delegaciont të tyre javën e kaluar është shprehur se “nuk do të përdorte ligjin penal kundër gazetarëve, por do të vazhdojë të sjellë raste civile civile kundër gazetarëve në raste ekstreme”, ndërkohë që ditën e sotme ka rënë në kontradiktë duke hedhur në gjyq gazetarin Tiede.

Postim i plotë i ECPMF:

Kryeministri i Shqipërisë #EdiRama ka nisur procesin ligjor kundër @PeterTiede. Për delegacionin tonë javën e kaluar ai tha se “nuk do të përdorte ligjin penal kundër gazetarëve, por do të vazhdojë të sjellë raste civile civile kundër gazetarëve në raste ekstreme”. /lapsi.al

Shpërndaje në: