Kush është kandidati i Vetëvendosjes për president?

Kush është kandidati i Vetëvendosjes për president?

Se programi i Vetëvendosjes nuk ishte aspak serioz u evidentua në një shkarje të madhe që peshonte 200 milionë euro. Në fund të gushtit, kandidati i VV-së për kryeministër, Albin Kurti, i premtoi 600 milionë nga buxheti për ushtrinë, ndërsa në mes të shtatorit vetëm 400. Pa asnjë shpjegim, me vetëm një fjalë goje, u humbën plot 200 milionë për një mandat. Kjo tregonte, më e pakta, se ai s’e merrte seriozisht veten.

Shumë ide të programit të tij mund të duken të majta, por nuk janë të tilla. Ta zëmë, ideja e banesave për çiftet e reja ishte kopjuar nga ekstremisti i djathtë Viktor Orban. Bile, ideja e Orbanit ishte më e stërholluar se sa ajo e Kurtit. Ai tregonte edhe se sa metra katrorë do të merrnin çiftet për 150 euro, se çfarë kushtesh duheshin plotësuar, sa fëmijë duhej t’i bënin, e kështu me radhë. Kurti përmendi vetëm 150 eurot. Nejse, Kurti, ashtu si Orbani, përmendi edhe rritjen e natalitetit, rritjen e kombit, e kështu me radhë. Populli duhej të bënte seks me motive nacionaliste. Pra, ideja në vetvete ishte e djathtë dhe nacionaliste. Bamirësi. Fashizëm. Pikë.

Edhe idetë e tjera ishin joserioze dhe mbështeteshin naivisht në një ndryshim të beftë rrethanash ekonomike, në një zbutje të përnjëhershme të operatorëve ekonomikë në vend, në një çlirim të tregut ekonomik nga… vullneti i mirë, në një ripërtëritje energjish dhe nga një mëkëmbje morale nga prokurorët e Kosovës [sepse natyrisht, Kurti do të heq dorën e Ekzekutivit mbi Gjyqësorin], në një ndërrim karakteri të diasporës [që u cilësua si nafta jonë]. Shumë gjëra brenda këtij programi i lihen fatit. “Ma jepni një shans,” – përsëriste vazhdimisht Kurti. Dhe pikërisht Shans [ang.Chance] thirret kryepersonazhi i një filmi politik të quajtur “Të Jesh Aty” [ang. Being There] që bëhet president thjesht duke qenë aty, rastësisht, nga shansi. Por, shumë gjëra duhet të ndërrojnë vetvetiu, brenda natës, që idetë kryesore të këtij programi të materializoheshin. Të përsërisim disa gjëra elementare nga realiteti ynë i hidhur: paratë e diasporës shkojnë në konsum e jo në investime, fuqia e pakualifikuar punëtore nuk shkon nëpër kampe përqendrimi ku kryen punë të papaguar, prokurorët janë analfabetë e të këqij, operatorët ekonomikë janë të egër, vullneti i mirë është përrallë.

Po të kishin pikëmbështetje më të forta këto ide, ta zëmë po të ishin thelbësisht të majta progresive, dhe po të besonte vetë Vetëvendosje seriozisht në to, atëherë problemi më i madh i kësaj partie për lidhjen e koalicionit me LDK-në do të ishte i ashtuquajturi “harmonizim”. Por, harmonizimi u krye brenda vetëm gjashtë takimesh nga disa grupe punuese të partive. Ndërsa, puna u prish kur partitë folën për pozitën e presidentit. Po të ishte serioze Vetëvendosje me programin e saj, atëherë nuk do ta kishte problem që pas harmonizimit të jepte edhe pozitën e kryeministrit, sepse i ka vetëm 1,5 për qind më shumë se LDK-ja, e lëre më atë të presidentit. Por nuk është. Vetëvendosje është serioze vetëm sa i përket rrebeve të kryetarit të saj, ego-s së tij të pamaskuar për pushtet. Ashtu si LDK-ja.

“Unë i përkas shtresës së ulët të klasës së mesme,” – thoshte Kurti në një intervistë në Shqipëri. E vërtetë. Nacionalizmi i tij bazohet në perspektivën e shtresës së ulët ose të mesme të klasës së mesme. Por kjo perspektivë do të ndërrojë [nëse nuk ka ndërruar tashmë] sapo ai të ulet në karrigen e kryeministrit, sepse do të ketë rrogë prej rreth 2400 eurosh, do të ketë pushtet të madh ekonomik, dhe siç ndodh rëndom, do të çlidhet me perspektivën e dikurshme. Por, nacionalizmi mbetet. Dhe nacionalizmi është pjesa e vetme që do t’i mbijetojë këtij tranzicioni perspektivash.

Së fundi, ne e pamë Xhelal Sveçlën, njeriun më të afërt të Kurtit të ulur në një tavolinë me Marko Gjuriqin, drejtorin e Zyres për Kosovën dhe Metohinë në Qeverinë e Serbisë.

“Serbia pas krejt këtyre krimeve të bëra mbi shqiptarët, ende nuk ka bërë hapin e parë që do të duhej ta bënte, kërkim-faljen publike si shtet, edhe pse kjo nuk do të mjaftonte që ne të ulemi me ta në një tavolinë në asnjë mënyrë.” – shkruhet në faqen e Vetëvendosjes.

Por, pas takimit të tij me Gjuriqin, Vetëvendosje vazhdoi ta mbronte Sveçlën. Tha bile se takime të tilla do të kishte gjithnjë e më shpesh. Kjo është një hipokrizi që të bën të vjellësh dhe që ilustron rezultatet e para alarmante të tranzicionit perspektivor të një partie nga opozita në pozitë, shkeljen brutale të qëndrimeve.

Në mosmarrëveshjen aktuale për formimin e qeverisë, ne e kemi të qartë pozicionin e LDK-së. Ajo kërkon pozitën e presidentit. Por, Vetëvendosje edhe në këtë pikë është e papërcaktuar. Ne nuk e dimë se a kërkon kjo parti të ndërrojë burimin e zgjedhjes së presidentit, nga partitë në pushtet dhe ambasadorët amerikanë te populli, apo e ka në mend ndonjë personalitet të caktuar. Kënd e mendon Vetëvendosje në pozitën e presidentit? Kjo është pyetja që duhet shtruar me forcë nga gazetarët. Si ka mundësi të dakordohesh për program, kur ai është aq i përkundërt, dhe nuk ka mundësi të dakordohesh për një pozitë honorifike e ceremoniale?

Zgjedhjet e 6 tetorit nuk e zgjodhën as kryeministrin, as presidentin, as ministrat. Jemi në demokraci reprezentative. Zgjedhjet e 6 tetorit zgjodhën zgjedhësit e këtyre pozitave. Çdo interpretim tjetër është mashtrim!

Shpërndaje në: