Kush janë trajnerët më të mirë në botë aktualisht?

Kush janë trajnerët më të mirë në botë aktualisht?

Vitet e fundit në futbollin evropian e kanë relativizuar drastikisht pozitën e trajnerit. Kjo për shkak të rritjes së profesionistëve në aspekte të ndryshme me të cilat merrej trajneri dikur por edhe për shkak të rritjes së cilësive të lojtarëve.

Tashmë, futbolli ka ekspertë që merren me dietën e lojtarëve, me aspektin psikologjik, me fitnesin, taktikat dhe formacionin, motivimin e për aspekte të tjera. Kjo ka bërë që kryetrajneri në nivelet e larta të futbollit të jetë thjesht koordinues i gjithë këtyre profesionistëve.

Por, kush është trajneri më i mirë në futboll aktualisht?

Nëse shohim rezultatet dhe statistikat atëherë nuk kemi se çka të flasim. Statistikat kanë gojën e tyre dhe flasin vetë. Por, puna e trajnerit shpesh nuk shpërblehet në formën e rezultateve të dukshme, apo të trofeve.

Së fundi, Tottenham Hotspur e shkarkoi trajnerin që u mendua si arkitekt i sukseseve të këtij ekipi. Vetëm gjashtë muaj më parë, Pochettino ishte në finale të Ligës së Kampionëve me këtë ekip – kur dihet se dikur e kishte ëndërr thjesht pjesëmarrjen në garën më të fortë evropiane.

Megjithatë, ky sezon ka qenë i tmerrshëm për argjentinasin pasi që nga 12 ndeshje arriti t’i fitonte vetëm 14 pikë. Por, Pochu dhe taktikat e tij në fakt nuk ia dolën të sillnin suksesin te ekipi i Spurs. Kishte një kombinim faktorësh. Paratë e shumta që u derdhën nga pronari, akademia që nisi të prodhonte papritmas lojtarë kualitativë, transferimet jashtëzakonisht të suksesshme, dhe natyrisht puna e padukshme e një grumbulli njerëzish më poshtë.

Pochettino më herët ka qenë trajner i dy ekipeve tjera, Espanyolit dhe Southamptonit. Ai nuk ka një identitet të caktuar sa i përket taktikave që përdorte. Herë luante me katër mbrojtës qendre, e herë me tre e po ashtu ndërronte pozicionet e mesfushës e të sulmit.

Pochettino përmendej si pjesë e shkollës së Marcelo Bielsas, bashkë me Pep Guardiolan dhe Diego Pablo Simeonen nga The Guardian. Por, Tottenhami i tij luante lojë krejtësisht të ndryshme nga ajo e Guardiolas dhe Bielsas, me shumë më shumë dinamizëm e agresivitet.

Por, kush janë trajnerët që kanë lënë gjurmën e tyre me taktikat që prodhuan përgjatë viteve?

4-4-2 tashmë është një taktikë e vdekur. Modernizimi i saj në vitet 2000 ishte bërë nga legjenda franceze, Arsene Wenger, i cili arriti të rimodelonte pozicionin e anësorëve, e po ashtu edhe atë të sulmuesit të dytë dhe sulmuesit të qendrës. Në fakt, Arsenali i pamposhtur i tij nuk kishte fare sulmues qendre. Henry e kryente një detyrë të tij, por pozicioni i natyrshëm ishte ai i anësorit ose sulmuesit të krahut. Piresin e gjenim duke luajtur në mes të fushës, Bergkampin si mesfushor ofensiv, Ljungbergun si sulmues të dytë – e kështu me radhë.

4-4-2shi i viteve 2000 mbante markën e z.Wenger dhe u përvetësua nga ekipet më të mëdha evropiane – që ia dolën të formonin ekipe fantastike, duke pasur lojtarë më të mirë në dispozicion. Ta zëmë, një gjë të tillë e bëri edhe Sir Alex Ferguson, që dy sulmuesit e qendrës i kishte pasur shumë statikë para vitit 2002.

4-2-3-1 u prodhua po ashtu nga z.Wenger. Ideja qendrore ishte që mesfushorët e qendrës të organizonin lojën, e jo mesfushori ofenziv. Për këtë detyrë, ai e kishte në detyrë Çesk Fabregasin, tepër fleksibil. Kjo taktikë po ashtu u përhap gjithandej Evropës dhe vazhdon të jetë e rëndësishme në futbollin evropian.

4-3-3 është një taktikë shumë e moçme, por e cila është bërë sërish e rëndësishme. Kjo pasi që treshja e mesfushorëve të qendrës ka detyra shumë më të ndryshme se në vitet ’70 e ’80. Këta lojtarë duhet të avancojnë në pozita anësore dhe të thyejnë mbrojtjet kundërshtare.

Aktualisht, përdoruesit më të mirë të kësaj taktike janë Jurgen Klopp dhe Maurizio Sarri.

Shpërndaje në: