Kush me kë po lufton në Skenderaj?

Kush me kë po lufton në Skenderaj?

Tash e një javë opinioni publik i shokuar nga përçarja në Lëvizjen Vetëvendosje, e ktheu kryet edhe nga disa zhvillime të rëndësishme në Partinë Demokratike të Kosovës. Këto zhvillime mund të duken të parëndësishme, por në fakt shprehin një ndryshim drastik në skenën politike vendore.

Përçarja në Vetëvendosje ndodhi në komunën e vetme me të cilën qeveriste kjo parti, në Prishtinë. Dhe ngjashëm po ndodh edhe me përçarjen në PDK – ku duket se kriza është e lokalizuar vetëm brenda bastionit më të fortë, në Skenderaj. Kjo parti ishte përçarë edhe më herët, gjë që rezultoi me krijimin e partisë Nisma (për Kosovën/socialdemokrate). Por, edhe ajo përçarje kishte qenë nëse jo e lokalizuar në bastion, atëherë shumë afër tij. Drenasi, Malisheva dhe tash Skenderaji janë komuna të cilat kanë ndërtuar epitomën e militantit të PDK-së. Njësoj si Prishtina që përmbante e përmban, epitomën e aktivistit të Lëvizjes Vetëvendosje.

Në të dyja rastet kemi të bëjmë me përçarje që shpërthejnë mu në zemër të subjekteve. Por, e veçanta e PDK-së në këtë rast, është se po e shpërthen një armiqësi të heshtur ndaj familjes Jashari. Partia e udhëhequr nga kryekuvendari Kadri Veseli, i dha mbështetje Bekim Jashari në zgjedhjet e fundit komunale. Dhe ky i fundit fitoi pa balotazh, me një diferencë shumë të madhe votash. Ama fitoi si kandidat i pavarur dhe jo si kandidat i PDK-së. Kjo sado e parëndësishme të duket, në fakt përmban elementet kyçe për nisjen e armiqësisë. E cila, tashmë ka shpërthyer dhe zor se do të ndalet vetëm në qytetin në fjalë.

Sot në mëngjes, Bekim Jashari e akuzoi kryetarin e PDK-së në komunën e Skenderajt, Sami Lushtaku se po e sabotonte punën e tij. Paraprakisht, Sami Lushtaku e kishte larguar nga detyra Bekim Haxhiun, i cili haptas ia mbante anën kryetarit të komunës, dhe jo atij të partisë. Jashari shkoi më tej duke e akuzuar Lushtakun edhe për keqpërdorime në kohën sa ky i fundit ishte kryetar. Lushtaku i tha të shkonte në prokurori. Ndërsa në konflikt së fundi u përfshi edhe Lëvizja Vetëvendosje, e cila u akuzua nga kryetari i komunës se po e mbështeste PDK-në dhe jo atë.

Por, çka në të vërtetë po ndodh? Duket qartë se Bekim Jashari e ka mbështetjen e kryetarit të PDK-së, Kadri Veselit. Kjo evidentohet nga mbrojtja që po i bëhet punës së tij nga Bekim Haxhiu, ish pjesëtar i ShIK-ut dhe njeri i afërt i Veselit. Nuk është e zorshme të kuptohet që PDK-ja po kërkon të largojë Sami Lushtakun nga partia, si një mënyrë e domosdoshme për të reformuar partinë. Nga ky pikëvështrim del e qartë se mospjesëmarrja në seancë e Lëvizjes Vetëvendosje nuk nënkuptonte një mbështetje ndaj PDK-së. Përkundrazi. Është Bekim Jashari i cili duke pranuar mbështetjen e PDK-së, nuk arriti që ta cenonte forcën e kësaj partie në këtë komunë. Jashari do të duhej të kandidonte njëmend si i pavarur, ose të merrte mbështetjen e ndonjë partie tjetër politike.

Tashmë, PDK-ja ka arritur që ta zmbrapsë të vetmen forcë politike që mund t’ia thërrmonte pushtetin në komunë dhe të rrezikonte shkatërrimin e plotë të kësaj partie. Kjo forcë politike që mund ta delegjitimonte është pikërisht familja Jashari. Por, të punosh me PDK-në nuk mund të mbetesh i pastër dhe respekti i njerëzve do të zvogëlohet për Bekim Jasharin dhe familjen e tij.

Kjo përçarje e PDK-së në fakt i shkon në favor vetë PDK-së. Përmes elementit të përçarë, z.Lushtaku i cili pritet të jetë kandidat për kryetar të partisë, ajo do të sulmojë Jasharin – por të njëjtën do ta bëjë përvjedhurazi përmes medieve që kontrollon dhe përmes përlyerjes eventuale me punët në komunë. Ndërkohë, vetë PDK-ja do të dalë më e pastër nga e gjithë kjo.

Se PDK-ja arrin të përfitojë nga përçarjet, kjo është evidentuar pikërisht me Nismën për Kosovën – duke qenë se menjëherë në zgjedhjet pasuese qendrore të vitit 2014, vetëm sa e kishte shtuar numrin e votave.

 

 

Shpërndaje në: