Kush po e kërcënon përditë kryeministrin Albin Kurti?

Jetlir Buja Op-Ed

Kur Albin Kurti e thotë fjalën “popull”, ajo që ka ndërmend duket se nuk janë njerëzit e vërtetë por profilet e rreme në Facebook. Populli nuk është asnjë person i përveçëm, por të gjitha profilet e rreme që e shtrijnë ligjërimin e tij gjysmak në çdo fushë debati. Edhe profili Çerçiz Topulli, profili Artistët shqiptarë e profilja Vcn s’di-çka, që punojnë pa lodhur natë e ditë. S’ka më hapësirë të ndërmjetme. S’ka sferë publike. Ka vetëm profile të rreme që luftojnë me të shara e linçime për falsifikimin e secilit prej profileve të vërteta, domethënë secilit prej nesh. Përtej këtij falsifikimi të përditshëm të çdo mendjeje, ka edhe heshtje të detyrueshme për kritikët deri në shkallën e instrumentalizimit të plotë.

Hajt, çka na duhet t’i paguajmë me taksat tona militantët e kryeministrit? Çka na duhet t’i paguajmë “shërbëtorët e popullit”: a mos ka ndonjë funksion tjetër te presidentja, kryekuvendari, ministrat e deputetët – përveç këtij që duket ashiqare: të angazhohen si profile të rreme, pa pikë individualiteti, që ta shtrijnë sa më shumë ligjërimin e individit në krye që i han pasdite fjalët e thëna paradite? Hë, i dashur popull?

Tashmë, ky lloj pushteti profilesh të rreme i ka bërë shtatë muaj e kusur. Çka na thonë këta shtatë muaj? Përshtypja ime e sinqertë është se qeverisja po e luan aq mirë sa mundet skenarin që e njohim tashmë: Pronton!

Duket se për dallim nga ne të tjerët, Albini e ka pasur durimin e çeliktë t’i dëgjojë bisedat mes pushtetarëve të kaluar në Aferën Pronto dhe të marrë prej tyre metodologjinë bazike për qeverisjen e tij.

Sërish, na dalin para sysh të kudondodhurit familjarë pushtetarësh. Sërish, na bëhet sikur Ramush Haradinaj është thelbi i politikës kosovare: disa familje në një anë, disa të tjera në anën tjetër. Në anën tjetër, sistemi ekonomiko-politik vazhdon të jetë po i njëjti, por që kësaj here mbrohet e mirëmbahet nga vet kritiku më i madh i tij, Albin Kurti.

Dhe, natyrisht që s’mund të mungonte as fjala e dikurshme qeveritare mbi realitetin e numërueshëm ekonomik: shifra e rritjes e ekonomisë, shifra e papunësisë, shifrat e skemave sociale, shtesave, remitencat, eksportet etj.

Marrë parasysh strukturat e prodhimit, ekonominë informale, mungesën e perspektivës për qindra mijëra të rinj kosovarë, konsumin që rritet frikshëm me krejt pasojat e tij, hajt çka na flasin këta numra? Bash atë që na e thonin në kohën kur kryeministri kishte emër dhe mbiemër tjetër e fryhej përmes tyre.

Por, ata vodhën!

Gogolët e dikurshëm me të cilët na trembte Albini me profilet e tij të rreme e me profilet e falsifikuara janë në Hagë. E zëvendësuesit e tyre nuk janë instrumentalizuar aq mirë. Lumir Abdixhiku e Memli Krasniqi s’po arrijnë të na trembin. Prandaj, pezmi i madh qytetar është i një shkalle shqetësuese pas rritjes së çmimeve të produkteve bazë. Jo vetëm për shkak të ndonjë kërcënimi të urisë, por për shkak të kërcënimit të stagnimit. Kjo është gjendja që s’e duam, mu kjo. Dhe prandaj, kur Albini flet si Ramushi e Hashimi, kur fryhet për të njëjtat punë, atëherë kumbon alarmi i mosndryshimit përmbajtësor të absolutisht asgjëje. Por, pezmi nuk drejtohet konkretisht te Albin Kurti. Ky është një pezm ndaj këtij sistemi tribal e të korruptuar që në vend se të bëj ndryshime të vërteta, e instrumentalizoi kryeministrin për të rifreskuar imazhin me mekanizmat e tij të mirëmbajtjes së vetes.

Kush po ia sheh hairin deri tash kësaj qeverie? Ata që ia shohin gjithnjë. Do të provoj të jem më konkret në këtë përgjigje. Hairin ia panë militantët që përfituan vende pune dhe u hapën në karrierë. Por, më së shumti hairin ia pa vet i ashtuquajturi Klan Pronto. Këta të fundit përmes kësaj qeverisjeje të lodhtë që e vazhdon në prapavijë mu kursin e tyre politik po rifitojnë çdo ditë e më shumë legjitimitet. Fundja, këta kanë gënjyer më pak dhe kanë shkelë më pak fjalë të vetat. Por, duke qenë se s’ka shkundje të strukturës së prodhimit e të sistemit, duke qenë se i ashtuquajturi ndryshim nuk po materializohet, pretendimi i tyre se krejt çka mund të bëhej ishte një përmirësim gradual po fiton terren. Pretendimi i tyre disfatist për stagnimin si fatin e kësaj shoqërie tashmë do të pohohet edhe nga vet Albin Kurti, duke i pamundësuar secilit që të kërkojë më shumë, e më mirë.

Asnjë i ri dhe asnjë e re s’do ta pranojë që fati i tij apo saj të jetë një rrogë 300 apo 400 euro. Mungesa e strehimit të përballueshëm, mungesa e një prosperiteti të qëndrueshëm e të parashikueshëm, e punëve përmbushëse dhe mundësive të barabarta do t’u japë të rinjve, që janë shumica e pamohueshme e këtij vendi, pezmin e pamjaftueshëm për shkatërrimin e këtij mut sistemi që prodhon mjerim dhe mashtrime.

Veç imagjinojeni, kur ShBA-ja arrin të shtyjë përpara ide për ndryshime drastike të sistemit, si nuk mundet një vend sa troha e krejt i papërfillshëm për tregjet globale?

Prandaj, meqë të gjithë po jetojmë aktualisht në botën e brendshme të Albin Kurtit, të instrumentalizuar në një mënyrë a tjetrën, në teket dhe përplasjet e tij me veten e dikurshme, me qëndrimet që i ka shkelë vazhdimisht, kërcënimi i vetëm që mund t’i vijë është kur kjo luftë e tij e brendshme të radikalizohet dhe edhe kryeministri të na mbetet thjesht si një profil i rremë Facebook-u.