Kush po i ‘shkërdhen’ 80% të grave në Kosovë?

Kush po i ‘shkërdhen’ 80% të grave në Kosovë?

Derisa po e shëtisja qenin tim Momon në parkun e qytetit në Prishtinë, dhe po ia ndjekja me nënshtrim rrebet dhe hapat e tij që më sillnin sa andej e këndej, sa poshtë e lartë, e pashë një grua në të pesëdhjetat, me flokë të lyera në të verdhë, që e kishte lidhur me një rrip një fëmijë tre-katër vjeçar, ose pesë, dhe që e mbante si një pronar i keq qenin e tij.

Në një rast tjetër që ndodhi para dy-tri javësh, e pashë një grua të banesave ndanë shtatores së “Zahir Pajazitit” që e dëboi një familje rome që po rrinte te shkallët përballë bankës TEB duke iu hedhur ujë mbi krye.

Me sytë e mi i kam parë edhe dhjetëra gra të tjera që prindëronin dhunshëm mbi fëmijët e tyre. Përmes shuplakash, grushtesh, shkelmash, sharjesh e britmash që i bënin madje edhe ndër sy të njerëzve tjerë, midis qytetit, pa pikën e marres.

Dhe, veç dhunës grunore që ushtrohet kryesisht mbi trupa fëmijësh të vegjël, me veshët e mi kam dëgjuar tepër shumë fjalë gërditëse, bash nga gratë, që i përgojonin dhe sulmonin gratë e tjera. Edhe burrat e tjerë. Por, sidomos gratë. Që s’e kuptonin as heteroseksualitetin, e lëre më homoseksualitetin. Që s’e toleronin asnjë grua të qihej pa miratimin shoqëror. Që i quanin ‘kurva’ të tillat. Që s’ndaleshin e s’ndalen së thururi thashetheme bazuar mbi seksizmin dhe standardet e dyfishta, e që me mungesën e anonimitetit në këtë vend sa troha, kanë mundësi bile edhe ta diktojnë ashpër dinamikën kulturore e sociale. E bile, në një masë, edhe atë ekonomike.

Në sferën publike ndërkohë, kam parë edhe gra të korruptuara, ose që ishin në shërbim të partive të korruptuara derisa ia krihnin egon liderëve të tmerrshëm. Kam parë edhe gra analfabete në pozita të pamerituara.

Natyrisht, nuk janë vetëm gratë që ushtrojnë dhunë e që i qarkullojnë vlerat shtypëse. Por, janë edhe gratë. “Vepra është e ndarë nga vepruesi!” – kritikonte feministet para-ardhëse Judith Butler në librin e saj Gender Trouble: Feminism and the Subversion of Identity. Domethënë, është naive dhe absurde ideja që grave t’iu vendoset një farë superioriteti moral në raport me burrat. Jo, do të thoshte Butler, problemi është te narrativat e te gjuha e përdorur, te performimi i vlerave nga gra e burra bashkë. Përbën seksizëm të bësh një ndarje të tillë. Gratë në një anë, burrat në tjetrën.

Është e vërtetë se mbi 80 për qind e grave në moshë pune në vendin tonë aktualisht janë të papuna. Mirëpo, shumica e grave të cilat punojnë, sipas statistikave të ASK-së, kanë përgjithësisht punë larg më të mira se shumica e burrave. Ato kryesisht punojnë nëpër zyre në një treg të zgjeruar fiksionalisht dhe kanë rroga më të larta. Bashkë me burra e të afërm pushtetarësh, marrin privilegje brenda një trilli që duke qenë trill, nuk prodhon kurrgjë. Pak gra, ta zëmë, marrin pjesë në çeljen e kanalizimeve, mbledhjen e bërllokut, nëpër kompani ndërtimore, si shofere të taksi 1-shave e taksi 4-shave, si shofere e konduktore autobusësh, e kështu me radhë. Punët më të këqija e më të padinjitetshme, e të cilat megjithatë bëjnë prodhimin e efekteve që shihen me sy të lirë, i bëjnë burrat, bile me paga diskriminuese. Përfshirja më e madhe e grave paragjykoj se ndodh në industrinë ushqimore dhe në sektorin e shërbimeve. Dhe imagjinoni se çfarë dëmesh të mëdha i shkaktohen ekonomisë sonë nga kjo mos-përfshirje?!

Kjo e tregon orientimin që i bën seksizmi tregut të punës përmes mundësive të pranueshme për gratë. Në një anë kemi një shtypje ekstreme ndaj shtresës së varfër dhe të paedukuar të grave, por në tjetrën privilegje dhe diskriminim pozitiv ndaj grave të edukuara të shtresës së mesme apo të pasur.

Domethënë, gratë në vetvete nuk janë superiore moralisht. Është seksizëm të thuhet një gjë e tillë. Ato ndryjnë potencial të jashtëzakonshëm dhunues, veçse në përmasa ndoshta më të vogla se burrat, dhe të praktikueshëm në trupa tjerë shoqërorë. Por, siç e shohim mirë, nga seksizmi i vendosur brenda një konteksti të caktuar, në këtë rast te tregu i punës, nuk e pësojnë të gjitha gratë njëherësh, ashtu siç nuk përfitojnë edhe të gjithë burrat njëherësh. Jo, në rastin e grave e pësojnë shumica dhe përfiton pakica, në rastin e burrave e pëson pakica dhe përfiton shumica. Dhe edhe ky përgjithësim është jashtëzakonisht problematik të ngrihet.

Mora shkas për këtë shkrim nga instalacioni që u bë nga një artiste amerikane te monumenti i “NewBorn”-it. Aty u vendosën portretet dhe fjalët e 99 grave kosovare nën cilësorin ‘të suksesshme’ duke e ngritur kësisoj një zhurmë të madhe mbi meritokracinë. Mungonin shumë e shumë gra, përfshirë Majlinda Kelmendin që është sportistja më e suksesshme kosovare në të dyja gjinitë. Prandaj, u kritikua kriteriumi në dukje subjektiv për përzgjedhjen e tyre. Mes grash përnjëmend të suksesshme ishin përzgjedhur edhe të tjera që pak-kush i njihte, dhe kësisoj u dha konkludimi se “kjo punë u bë me të njofshëm’. Me anë rekomandimesh. Ashtu siç ndodhte në përgjimet e njohura si ‘Pronto’ mes politikanëve të PDK-së.

Por, sipas mendimit tim, problemi kryesor nuk është prania e këtyre grave ‘anonime’. Problem i madh është prania e ‘figurave të njohura publike’ dhe e mbiemrit ‘të suksesshme’ në atë reklamacion. Të mos jesh ‘grua e suksesshme’ brenda një shoqërie me pabarazi të tmerrshme sociale, ekonomike e gjinore, që ofron mundësi tepër të kufizuara, nuk do të duhej që të ndillte ndjenjën e fajësisë e përjashtimit. Çka ka lidhje nëse një grua mbetet e pasuksesshme? Reklamacioni në fjalë e bënte një ndarje naive e dashakeqe me nënkuptimin se “në një anë i kemi 99 gra të suksesshme” ndërsa në tjetrën “i kemi 1 milionë të tjera që duhet të ndjekin shembullin e tyre”. Por, cilin shembull më saktësisht? A duhet që të gjitha këto 1 milionë gra, që përbëjnë gjysmën e popullsisë së vendit, të merren me një aktivizëm shpesh thjesht kukatës për gjendjen e grave të tjera? Sepse nëse të gjitha gratë e shoqërisë sonë do të merreshin me aktivizëm, atëherë gjysma e popullsisë do të mbetej praktikisht e papunë.

Pse duhej të kishte aq pak gra ndërmarrëse? Dhe pse nuk duhet të ketë asnjë grua që e bën një punë të stigmatizuar e me pagë të vogël? Ta zëmë, pse të mos ishte gruaja e vetme konduktore e autobusit në Prishtinë? Mos ndoshta, kështu iu dha një shërbim tjetër të njëjtës frymë përçmuese që i lë gratë të papërfshira në hapësirat e tjera të tregut të punës? Në hapësirat përtej aktivizmit?

Pikërisht kjo besoj që ndodh. Sepse ‘suksesi’ si cilësor përpiqet të ofrojë shembullin që duhet ndjekur. Dhe nëse ndiqet ky shembull, atëherë veç çka do të rritej pabarazia gjinore. Sepse, ekziston diçka që thirret ekonomi, rëndësinë e të cilës nuk mund ta mohojmë.

Ndërkohë që gratë të cilat tashmë janë ‘figura të njohura publike’ i shohim përditë në platforma të ndryshme mediale duke i thënë rrëfimet e tyre. Ato kanë zë. E megjithatë, nuk përfaqësojnë as afërsisht gratë e tjera larg më të shtypura duke mos ndarë të njëjtin fat ekonomik. Rrëfime të reja e më të fuqishme janë të domosdoshme. Dhe madje, që vijnë nga hapësira të tjera e që përnjëmend do t’i thyenin tabutë. Por duket se, prania e grave të tilla do ta prishte imazhin dhe reklamën e një pjese të grave goxha të privilegjuara.

Më tej, mjaft domethënës është edhe numri i përdorur. ‘99’. Ky është një numër që shpreh kufizimin apo mbylljen, për dallim nga numri ‘101’ që njësoj si ai ‘1001’ në rastin e ‘1001 netëve’ mësynte të tregonte numrin e pafund të tregimeve të famshme arabe. Por, numri 99 përpiqet pavetëdijshëm të mbyllë rrëfimin për gratë e suksesshme. Kaq. S’ka më. Pavarësisht a ishte a jo qëllimi i autores. Vepra është e ndarë nga autori/autorja. Ashtu siç seksizmi është i ndarë nga autori/autorja.

Shpërndaje në: