Kushtetuesja rrëzon ankesat e dy kandidatëve për Kryeprokuror të Shtetit

Kushtetuesja rrëzon ankesat e dy kandidatëve për Kryeprokuror të Shtetit

Gjykata Kushtetuese ka hedhur poshtë kërkesat Shqipdon Fazliut dhe Armend Hamitit, që të dy kandidatë për Kryeprokurorë të Shtetit, të cilët e kontestojnë kushtetutshmërinë e vendimit të Këshillit Prokurorial të Kosovës për propozimin e Blerim Isufaj në pozitën e Kryeprokurorit të Shtetit.

Gjykata, vendosi që kërkesat përkatëse t’i shpallë të papranueshme mbi baza procedurale, sepse parashtruesit e kërkesave nuk i kanë shteruar mjetet juridike siç është përcaktuar me paragrafin 7 të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës.

Rrethanat e rasteve ndërlidhen me rezultatet e konkursit për zgjedhjen e Kryeprokurorit të Shtetit të shpallur nga Këshilli Prokurorial i Kosovës.

Paneli Vlerësues, i përcaktuar sipas rregullores të Këshillit Prokurorial për Emërimin e Kryeprokurorit të Shtetit dhe Kryeprokurorëve të Prokurorive të Kosovës, kishte renditur
parashtruesit e kërkesave në pozitën e dytë dhe të katërt respektivisht, ndërsa
kandidatin Blerim Isufaj në pozitën e parë.

Ndaj vlerësimit të Panelit Vlerësues, parashtruesit e kërkesave parashtruan kundërshtim në Komisionin për Rishqyrtim.

Ky i fundit, vlerësoi që Ligji për Këshillin Prokurorial dhe Rregullorja për Emërimin e Kryeprokurorit të Shtetit, janë zbatuar drejtë përgjatë procesit të vlerësimit, megjithatë i rekomandoi Panelit Vlerësues që të rishikojë/plotësojë arsyetimet përkitazi me disa nga kriteret e vlerësimit. Më 6 prill 2022, Këshilli Prokurorial (i) refuzoi rekomandimet e Komisionit për Rishqyrtim; dhe (ii) bazuar në nenin 17 (Procesi i Votimit) të Rregullores për Emërimin e Kryeprokurorit të Shtetit, vendosi që për dekretim nga Presidentja e Republikës, të propozojë kandidatin e renditur si të parin nga Paneli Vlerësues. /Periskopi/

Shpërndaje në: