Kuvendi dështon t’i zgjedhë dy gjykatës të Kushtetueses, asnjëri s’arrin t’i marrë votat e nevojshme

Kuvendi dështon t’i zgjedhë dy gjykatës të Kushtetueses, asnjëri s’arrin t’i marrë votat e nevojshme

Kuvendi i Kosovës ka dështuar t’i zgjedhë dy gjykatës të Gjykatës Kushtetuese. Asnjëri nga tre nga pesë kandidatët që shkuan deri në rundin e tretë të votimit nuk arritën t’i merrnin votat e shumicës së deputetëve për t’u bërë gjykatës në autoritetin përfundimtar për interpretimin e Kushtetutës në vend.

Në rundin final votuan 79 deputetë. Etrur Maloku i mori 43 vota, Bardh Vokshi 41 vota dhe Hilmi Jashari 18 vota. 5 vota ishin të pavlefshme.

Etrur Maloku, Bardh Bokshi dhe Hilmi Jashari ishin tre kandidatët që garuan deri në fund për dy pozita të lira të gjykatësve të Gjykatës Kushtetuese.

Nga pesë kandidatë sa ishin gjithsej, Shukri Sylejmani u eliminua në rundin e parë të votimit, sipas një procedure zgjedhore të miratuar paraprakisht nga Kuvendi që specifikoi se në rast se asnjëri nga kandidatët nuk e merr shumicën e votave të të gjithë deputetëve, në çdo rund do të eliminohej kandidati që merr më së paku vota.

Në rundin e dytë, Hilmi Jashari dhe Vigan Qorrolli i morën të dy nga 18 vota, gjë që bëri që një votim të zhvillohej vetëm mes të dyve që e vendosi se cili prej tyre do të kualifikohej për të marrë garuar në rundin e tretë dhe final të votimit.

Jashari fitoi garën me Qorrollin për të shkuar në ‘finale’ ku nuk arriti t’i marrë votat e nevojshme të shumicës së të gjithë deputetëve.

Komisioni i posaçëm për shqyrtimin e nominimeve të kandidatëve për gjykatës të Gjykatës Kushtetuese i solli për votim në Kuvend emrat e pesë kandidatëve.

Nga testi me shkrim dhe me gojë të cilit ata iu nënshtruan paraprakisht, Hilmi Jashari ishte vlerësuar me 8.9 pikë; Etrur Maloku me 8.6 pikë; Bashkim Hyseni me 8.4 pikë (është larguar vetë nga gara); Vigan Qorrolli me 7.9 pikë pikë, Bardh Vokshi me 7.7 pikë dhe Shukri Sylejmani me 7.5 pikë.

Shpërndaje në: