Kuvendi i dështimeve, nuk arrin të miratojë asnjë pikë të rendit të ditës

Kuvendi i dështimeve, nuk arrin të miratojë asnjë pikë të rendit të ditës

Koalicioni qeverisës ka dështuar sërish të ketë numrat e nevojshëm për të votuar nismat ligjore në Kuvend.

Në mungesë kuorumi, shumë pika të rendit të ditës, disa prej tyre nga viti i kaluar, nuk kanë arritur të marrin 61 vota, raporton KTV.

Kjo u dëshmua edhe gjatë seancës së të mërkurës.

Deputetët dështuan që të votojnë propozim-rezolutën nga debati parlamentar lidhur me angazhimet e Presidentit të Kosovës për “shkëmbim të territoreve” apo “korrigjim të kufijve”, në dialogun Kosovë-Serbi.

Për këtë votuan vetëm 28 deputetë.

Nuk u miratua as propozim rezoluta për dështimet e koalicionit qeverisës rreth procesit të liberalizimit të vizave.

Duke e parë këtë situatë, shefi i deputetëve të LDK-së, Avdullah Hoti, kërkoi që të mos vazhdojë seanca.

Në kohën kur po diskutohej për projektligjin për tatimin në të ardhurat e korporatave, deputeti i PDK-së Bekim Haxhiu ka propozuar amendamentin sa i përket sponsorizimit në fushën e kulturës dhe sportit që të harmonizohet edhe me Ligjin për Sponsorizime.

Megjithatë, pas dy tentimesh, ky amendament nuk mori përkrahjen e deputetëve sepse votuan vetëm 55 deputetë.

Instituti Demokratik i Kosovës, që monitoron punën e Kuvendit, vlerëson se pushteti është duke bërë improvizime me seancat e Kuvendit.

Në mesin e 35 pikave të diskutimit, deputetët dështuan që ta votojnë edhe propozim-rezolutën për dështimet dhe skandalet në politikën e jashtme.

Shpërndaje në: