Kuvendi miratoi Projektligjin për administrimin e pasurisë së sekuestruar dhe konfiskuar

Kuvendi miratoi Projektligjin për administrimin e pasurisë së sekuestruar dhe konfiskuar

Kuvendi i Kosovës ka miratuar në lexim të parë Projektligjin për administrimin e pasurisë së sekuestruar dhe konfiskuar. Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka thënë se përmes këtij projektligji agjencisë për administrimin e pasurisë së sekuestruar apo të konfiskuar do t’i mundësohet që të bëjë shitjen e sendeve, dhënien me qira ose dorëzimin e tyre për shfrytëzim nga Qeveria e Republikës së Kosovës.

Projektligji për administrimin e pasurisë së sekuestruar dhe konfiskuar është votuar me 69 vota për duke u mbështetur kështu edhe nga partitë opozitare.

“Përmes këtij projektligji, agjencisë për administrimin e pasurisë së sekuestruar apo të konfiskuar do t’i mundësohet që të bëjë shitjen e sendeve, dhënien me qira ose dorëzimin e tyre për shfrytëzim nga Qeveria e Republikës së Kosovës. Intensiteti dhe vëllimi punës së kësaj agjencie do të shtohet shumë shpejtë për faktin se tashmë drejt finalizimit Projektligji i ri për konfiskimin e pasurisë së përfituar në mënyrë të pajustifikueshme, andaj ky ndryshim në këtë fazë është shumë i nevojshëm me qëllim që të ruhet vlera e pasurisë së konfiskuar apo të sekuestruar dhe mundësia që kjo pasuri e përbashkët kundërvlera e saj të shfrytëzohet në të mirën e interesit të përgjithshëm”, ka thënë Haxhiu.

Ajo ka thënë se dispozitat e projektligjit parashohin që mënyra dhe procedura e shitjes dhe dhënies me qira të pasurive të luajtshme dhe të paluajtshme, të sekuestruara dhe të koksifikuara të rregullohen me akt nënligjor të cilin qeveria do ta miratojë.

Haxhiu ka thënë se hartimi i tij do të behët nga Ministria e Drejtësisë brenda gjashtë muajve nga hyrja në fuqi e këtij projektligji.

Shpërndaje në: