Kuvendi unanimisht ratifikon marrëveshjen mbi 200 milionëshe me MCC’në

Kuvendi unanimisht ratifikon marrëveshjen mbi 200 milionëshe me MCC’në

Kuvendi i Kosovës ka ratifikuar Marrëveshjen mes Kosovës dhe MCC, e cila u nënshkrua mbrëmë në Washington.

Marrëveshja është ratifikuar me votat e 89 deputetëve, të cilët ishin në sallë.

Futja e kësaj pike në rend dite, u propozua nga kryetari i Komisionit për Ekonomi, deputeti i PDK-së Ferat Shala.

Programi Kompakt prej 236.7 milionë dollarësh përqendrohet në çështjen e energjisë dhe u nënshkrua me një ceremoni në Kongresin Amerikan.

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli e nënshkroi marrëveshjen në praninë e presidentes Vjosa Osmani dhe kryeministrit Albin Kurti.

Kujtojmë që programi kompakt në kuadër të kësaj marrëveshjeje do të përfshijë tri projekte.

E para krijimi i rezervave dhe arbitrazh të energjisë prej 340 megavatëorë, e dyta zhvillimi i fuqisë punëtore, me theks të veçantë në përfshirjen e grave në sektor të energjisë si dhe Projektin e Institucionit Amerikan të Katalizatorit për Zhvillim, i cili ka për qëllim të nxisë financimin e sektorit privat nga Korporata Financiare e Zhvillimit Ndërkombëtar (DFC) të Shteteve të Bashkuara në Kosovë.

Granti nga Amerika është në vlerë prej 202 milionë dollarësh. Ndërsa, shuma totale e marrëveshjes kap shifrën e 236 milionë dollarëve, ku pjesën tjetër do ta paguajë Qeveria e Kosovës.

Shpërndaje në: