Ky është Albin Kurti i vërtetë

Ky është Albin Kurti i vërtetë

Zhurmë, piskamë, hallakamë, kukatje, sharje, poezi, idiotësi. Krejt këto ishin pjesë e debateve të deritashme mbi zgjedhjet e parakohshme të 6 tetorit në Kosovë. Debati politik mendoj se e ka humbur karakterin e vet politik e publik për t’u shndërruar në një debat thelbësisht komercial, që mësyn thithjen e ndjesive elementare të shikuesve duke ndjellë thjesht zbavitje. Sepse zbavitja shet. Drejtuesit e emisioneve shkrihen nga gëzimi kur emisioni merr shumë “K”-ja (shumë mijëshe) dhe natyrisht që gëzohen edhe në raste incidentesh e rrahjesh siç ishte ai mes Molliqajt dhe Abazit. Kjo përkthehet në formë direkte në të hyra financiare dhe popullaritet të shtuar.

Cilësori “politike” për këto debate s’mund të ishte më i gabuar sepse shërben si maskë për të fshehur pikërisht “jopolitiken”. Bash në studiot ku zhvillohen këto debate ndodh një depolitizim i skajshëm i shoqërisë përmes çlidhjes efektive të qytetarëve nga çështjet e rëndësishme publike, dhe për më keq, edhe nga rezonimi i tyre mbi fatin individual dhe situatën socio-ekonomike ku ndodhen.

Dhe, duke qenë në thelbin e vet zbavitës, debati i deritashëm zhvlerësoi problemet e rëndësishme të shoqërisë sonë. Papunësia, padrejtësitë sociale, pabarazia ekonomike, minimi i lirive dhe të drejtave – u bënë tema që tingëllojnë keq. U bënë produkte bajate e të mykura. Kësisoj, rrekja e analistëve është shtrëngimi i kandidatëve për deputetë e për kryeministra që të jenë sa më zbavitës. Dhe, ja ku dalim te kandidati i Vetëvendosjes për kryeministër, z.Albin Kurti, të cilin e kam përkrahur e votuar në zgjedhjet e kaluara.

Kurti ishte mbrëmë i ftuar në emisionin Pressing, në po të njëjtin vend ku u shanë e u rrahën Haki Abazi me Dardan Molliqajn – i pari kandidat i Vetëvendosjes për deputet dhe i dyti ish “dora e tij e djathtë” për trembëdhjetë vjet.

Si në intervistat e tjera, Kurti nuk dukej aspak rehat të fliste mbi parimet themeltare të partisë së tij.

Mos të harrojmë të paktën atë që duket sheshit, emrin e Lëvizjes Vetëvendosje. Pra, quhet “Vetëvendosje” apo jo? Ku mbeti parimi “Jo negociata, Vetëvendosje” që u shkrua në mijëra mure ndërtesash publike e private të vendit? Kurti tha se është “për negociata me parime”. E vërteta është se ai ka qenë kategorikisht kundër negociatave. E vërteta është se Lëvizja Vetëvendosje nuk e nisi aktivitetin e saj politik kundër PDK-së, që prej 2004 e deri më 2008 ishte në opozitë, por kundër procesit negociator të Vjenës që çoi në Pakon e Ahtisaarit dhe në Pavarësinë e Kosovës.

Ky pozicion politik është i rëndësishëm sepse evokoi qëndrim tepër armiqësor kundër pavarësisë dhe simboleve të saj. Në fakt, edhe pse Kurti dëshiron ta relativizojë pozicionin e tij aktual duke thënë që “është thjesht çështje simbolesh” mosrespektimi i tyre shpreh konkretisht një mospajtueshmëri ideologjike që na çon në luftën e vitit 1999 dhe në marrëveshjen e Rambouillet-së.

Gjatë intonimit të himnit të Kosovës në një konferencë në Mitrovicë

Kurti ishte kundër kësaj marrëveshjeje, bile hapur. Ai ishte në vijë me mendimtarët majtistë si Alain Badiou për shembull, që ishin kundër ndërhyrjes ushtarake për çlirimin e Kosovës. Ai kishte bindjen që Marrëveshja e Rambouillet-së ishte e keqe për vendin tonë, sepse ne kishim mundësi të vendosnim/çliroheshim vetë. Kjo lidhet me pikëvështrimin që me të drejtë e sheh intervencionizmin të lidhur nyje me neo-kolonializmin. Pra, me ato bindje të Lëvizjes Popullore të Kosovës [LPK] që themeluan Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës [UÇK].

Lëvizja Vetëvendosje është nënprodukt i ideologjisë së LPK-së dhe i betimit të tradhtuar të UÇK-së. Me një fjalë, Vetëvendosje nuk është më shumë se një fraksion i Partisë Demokratike të Kosovës [PDK] që u themelua pas një varg shkeljesh që kjo e fundit i bëri zotimeve të saj.

Por, edhe ky tregim mori fund. Tashmë Lëvizja Vetëvendosje është një parti politike post-ideologjike, e ngjashme me Lëvizjen Pesë Yjet në Itali që drejtohet nga një komedian. Kurti duhet ta pranojë që nuk beson në asnjë gjë që i themeloi partinë. Dhe, duke e pasur këtë bindje unë e dhashë votën në vitin 2017. Unë nuk besoj te liderët parimorë për shkak se shpërfillin rrethanat konkrete por nuk besoj as te liderët zbavitës sepse nuk shohin përtej rrethanave konkrete.

Albin Kurti aktualisht është zbavitësi më i mirë në skenën tonë politike. Është një lider me të cilin s’mund të mos krenohemi sepse njësoj si fiset indigjene guarani në Amerikën Jugore, na pëlqen të kemi prijës që flasin bukur. Dhe hakun Albinit duhet t’ia japim: është një orator i lindur. Ai është më i madh se çdo ide e çdo ideologji. Por, për fat të keq, Kosova aktualisht ka nevojë për një kryeministre që sfidon karakterin komercial të politikës dhe talljen e përditshme që bëhet me fatin e qytetarëve të vendit. Kosova ka nevojë për dikë që çjerrë iluzionin mbi politizimin e skajshëm të shoqërisë për të treguar që në fakt kemi të bëjmë me një depolitizim të skajshëm.

Përveç kësaj, Kurti nuk i ka kushtuar kurrfarë rëndësie programit të tij ekonomik. Vetëvendosje është e profilizuar si e majtë por asnjë protestë masive e saj nuk u bë për ndonjë çështje që prekte sentimentet e ndrydhura të shtresës së varfër në vend. As edhe një protestë për papunësinë, që shkon deri në 60 për qind te të rinjtë sipas statistikave qeveritare (ASK). Të gjitha këto protesta që u organizuan nga Kurti kishin karakter nacionalist. Si të mos mjaftonte kjo, Kurti afroi në parti edhe shumë njerëz të djathtë, përfshirë një që bile është i ekstremit të djathtë [far right], Gazmend Islamin e Ballit Kombëtar [ky është kandidat për deputet në listën e VV-së].

Grekët e lashtë i quanin idiotë njerëzit që nuk përfshiheshin në çështje publike. Mendoj se ne jemi idiotë. Sepse çështjet publike i kemi bërë instrumente për zbavitje. Dhe pikërisht kësaj i frikësoheshin grekët kur e kriminalizuan talljen e përqeshjen, duke kërkuar seriozitet të përkorë në publik.

Ja çka do të thoshte Friedrich Nietzsche për z.Kurti:

“Nëse, për një kohë të gjatë, ai mezi guxonte të bënte pyetje të tilla: “Përse kaq i veçuar? Kaq i vetmuar? Pse kam hequr dorë nga gjithçka që nderoja dikur? Madje kam hequr dorë nga vetë nderimi? Pse kjo ashpërsi, ky dyshim, kjo urrejtje për vetë virtytet e mia?” – tani guxon të pyes me zë të lartë dhe guxon të japë një lloj përgjigjjeje. “Ti duhet të bëhesh zot i vetes, zot edhe i virtyteteve të tua. Më parë, ato ishin sundueset tua; por ato duhet të jenë thjesht instrumente, pranë çdo mjeti që përket ty. Ti duhet të marrësh sundimin mbi Pro-në dhe Kundra-n tënde dhe të mësosh t’i lidhësh e t’i zgjidhësh sipas qëllimit tënd më të lartë. Duhet të mësosh të kuptosh atë që është perspektivë në çdo vlerësim – zhvendosjen, shtrembërimin dhe teleologjinë e horizonteve si dhe gjithçka që i përket perspektivës; madje edhe sasinë e budallallëkut që nevojitet kundrejt vlerave të kundërta dhe për të gjitha humbjet intelektuale me të cilat paguhet çdo pro dhe çdo kundra. Ti duhet të mësosh të kuptosh PADREJTËSINË E NEVOJSHME të çdo pro-je dhe kundra-je, padrejtësinë si të pandarë nga jeta, jetën vetë si të kushtëzuar nga perspektiva dhe nga padrejtësia e saj.”

Shpërndaje në: