Ky është vendimi i Gjykatës për tre zyrtarët policorë që keqtrajtuan qytetarët në Shtime

Ky është vendimi i Gjykatës për tre zyrtarët policorë që keqtrajtuan qytetarët në Shtime

Gjykata Themelore në Ferizaj ka shpallur aktgjykim dënues ndaj tre zyrtarëve policorë. Ata akuzohen se në mbrëmjen e 6 tetorit të vitit 2019 i kanë keqtrajtuar, frikësuar dhe fyer rëndë dy persona të tjerë në stacion policor në Shtime.

Sipas njoftimit të Gjykatës, të dëmtuarit ishin ndaluar nga Policia, e më pas janë urdhëruar të shkojnë në stacionin policor në Shtime. Kur dy palët arrijnë në oborr, zyrtarët policorë fillojnë ta godasin me shuplaka, grushte e shqelma të dëmtuarin, D.H, derisa bie në tokë.

Më pas, zyrtarët policorë dhunë ushtojnë edhe në të dëmtuarin tjetër ,A.A, ndërsa e njëjta sjellje e policëve vazhdon edhe pasi i fusin viktimat në zyrën e intervistimit.

“Të pandehurit A.R.1, A.R.2, M.B., akuzohen se më datë 6 tetor 2019, rreth orës 21:25 minuta në Stacionin Policor në Shtime, duke keqpërdorur detyrat dhe autorizimet, i kanë keqtrajtuar, frikësuar dhe fyer rëndë dinjitetin e të dëmtuarve D. H. dhe A. A., në atë mënyrë që në momentin që i ndalin, kur i dëmtuari A. A. ishte duke e drejtuar automjetin e tij në qytet me një shpejtësi të rrezikshme e urdhërojnë që të shkoj pas automjetit të policisë në Stacionin Policor në Shtime dhe kur arrin në oborr të stacionit, për t`u sqaruar me oficerët e policisë, këta të fundit pa paralajmërim dhe në kundërshtim me autorizimet ligjore dhe rregullat e tjera të policisë fillojnë të godasin me shuplaka, grushte dhe shqelma të dëmtuarin D. H., deri sa bie në tokë, e më pas me shuplaka grushte dhe shqelma fillojnë të godasin edhe të dëmtuarin A. A., pasi që del nga vetura dhe shkon në drejtim të oficerëve policorë. Të dy të dëmtuarit i prangosin dhe fusin në zyrën për intervistimit dhe aty vazhdojnë të godasin me grushte e shqelma, duke iu shkaktuar lëndime trupore”, thuhet në komunikatë e lëshuar nga Gjykata Themelore në Ferizaj.

Dy zyrtarët policorë, A.R dhe A.R, janë dënuar me nga një vit burgim, ndërsa M.B me 150 ditë burgim.

“Gjykata Themelore në Ferizaj – Departamenti i përgjithshëm, përkatësisht gjyqtari i vetëm gjykues, pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor dhe administrimit të të gjitha provave, të pandehurit: A.R.1, e shpalli fajtor dhe të njëjtin e gjykoi me dënim unik burgimi në kohëzgjatje prej një (1) viti; A.R.2, e shpalli fajtor dhe të njëjtin e gjykoi me dënim unik burgimi në kohëzgjatje prej një (1) viti; M.B., e shpalli fajtor dhe të njëjtin e gjykoi me dënim unik burgimi në kohëzgjatje prej njëqind e pesëdhjetë (150) ditëve, të cilat dënime do të ekzekutohen pas plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi”, thuhet në komunikatë.

Shpërndaje në: