Ky është veprimi më i ri i Partisë Socialiste
12 drejtuesit e PS-së në qarqe kanë nisur turin e tyre dëgjimor, pjesë e platformës së shpallur nga Kryeministri Edi Rama “Shqipëria që duam”, pas fitores më 25 qershor.
Ky do të jetë një tur dëgjimor, por edhe për të mbledhur bashkë problematikat kryesore në secilin qark, për të dalë më pas me një analizë të plotë për 3 prioritetet kryesore, të cilat në gusht do të bëhen pjesë e raporteve të 5 grupeve të punës që do të kryesohen nga Ruçi, Peleshi, Ekonomi, Ahmetaj dhe Xhafaj.
Drejtuesja e qarkut të Kukësit, Mimi Kodheli, falenderoi banorët e Kukësit, Hasit dhe Tropojës për besimin e dhënë si e zgjedhura e tyre në parlamentin e ardhshëm.
“Falenderoj PS, kryesinë e PS dhe Edi Ramën për gjithë besimin që më ka dhënë. Faleminderit të gjithë skuadrës fituese të socialistëve. Faleminderit që më keni dhënë kaq shumë besim pasi edhe ju e dini tani që vetëm PS mund ta bëjë Shqipërinë shtetin që ne duam”, ka thënë ajo, shkruan Top Channel.
Edhe drejtuesi i qarkut të Elbasanit Taulant Balla turin e dialogut me qytetarët e nisi me falenderim dhe premtimin për ripërtëritjen e administratës shtetërore.
Por si do të funksionojë për katër javët e ardhshme turi dëgjimor dhe falenderues i socialistëve?
Në të do të përfshihen të gjithë kandidatët, pjesë e garës së 25 qershorit, fitues apo edhe ata që mbetën jashtë parlamentit. Ata do të ndalen në çdo fshat e qytet për të ndjekur problemet e sugjerimet, për të përpiluar në muajin gusht një raport gjithëpërfshirës, që do të jetë më pas pjesë e axhendës së 5 grupeve të punës, për tu prezantuar në fund të gushtit në Asamblenë Kombëtare të Partisë Socialiste.