Ky ishte rasti i doganierit që vdiq, për të cilin ‘heshtën’ sot Kurti e Sveçla

Ky ishte rasti i doganierit që vdiq, për të cilin ‘heshtën’ sot Kurti e Sveçla

Në prill të këtij viti zyrtari i Doganës së Kosovës, Luan Berisha (45 vjeç), ishte gjetur pa shenja jete në oborrin e institucionit ku punonte.

Rrethanat ende të paqarta të vdekjes së tij në vendin e punës duket se kanë shtyrë familjarët e të ndjerit të dyshojnë se ai është vrarë.

Motra e tij, Laura Berisha, publikisht disa herë kishte akuzuar shtetin se vëllai i saj është vrarë në oborrin e Doganës dhe se ky fakt, sipas saj, po fshihet.

“Luani u vra nga kriminelët që duan me vjedh shtetin e tyre dhe u vra në oborr të Doganës”, shkruante Laura në rrjetet sociale.

“Luani u vra prej juve, nga Dogana e Kosovës, edhe i keni zhduk edhe kamerat o kriminelë. A ka shtet?”, kishte komentuar ajo në një postim të Doganës në Facebook, ku ishte njoftuar për vdekjen e Luanit.

E sot Laura Berisha ua “preu” rrugën krerëve të shtetit, duke kërkuar drejtësi për vëllain e saj të vdekur.

Ishin kryeministri Albin Kurti, kryeparlamentari Glauk Konjufca, ministri i Brendshëm Xhelal Sveçla dhe ai i Ekonomisë Hekuran Murati, bashkë me kandidatin e LVV-së për kryetar të Prishtinës, Arben Vitia, të cilët po shëtisnin në sheshin e Prishtinës kur Laura i ndaloi dhe kërkoi përgjegjësi për vëllain e saj, për të cilin tha se u vra.

Ajo tha se është injoruar nga ministri Sveçla sa herë që ka kërkuar takim me të dhe sa herë ka dërguar pyetje në adresë të tij.

“Po ju pyes juve dhe zotëri Sveçlën, vëllai im Luan Berisha, zyrtar i lartë në Doganë, u vra në oborr të Doganës më 17 prill dhe nuk e kemi asnjë përgjigje deri tash. Kemi kërkuar takim, na keni injoruar dhe nuk kemi asgjë deri tash, dhe desha të ju pyes, a jeni duke e luftuar krimin siç na keni premtuar, apo jo?!”, thotë ajo.

Për çudi, ishte ministri i Ekonomisë, Hekuran Murati ai që mori fjalën dhe iu përgjigj asaj, duke i thënë se “krimi po luftohet”. Kurti e Sveçla heshtën!

Në njoftimin e Sindikatës së Pavarur të Doganës së Kosovës, me rastin e vdekjes së Luan Berishës, thuhej se i ndjeri la pas vetes një bagazh të madh profesional dhe një kujtim shumë të veçantë për secilin koleg.

“SPDK bashkëndjen dhimbjen dhe u shpreh ngushëllime familjes, kolegëve dhe të gjithë dashamirëve që e kanë njohur! Me dhimbje të thellë pranuam lajmin e humbjes së jetës së kolegut tonë Luan Berisha, i cili ndërroi jetë në moshën 45-vjeçare. Ishte koleg që la pas vetes një bagazh të madh profesional dhe një kujtim shumë të veçantë për secilin koleg që e ka njohur dhe ka pasur fatin të punoj më të. I përjetshëm do të jetë kujtimi për kolegun tonë të nderuar, Luan Berisha”, thuhet në njoftimin e kësaj sindikate.

Policia e Kosovës, në njoftimin zyrtar për vdekjen e Luan Berishës, pati thënë se dyshimet e para janë se viktima kishte kryer vetëvrasje, pasi kur ishte gjetur nga policia në veturë, kishte pasur një armë në duar, me të cilët dyshohej se është kryer akti.

Në vendin e ngjarjes po ashtu ishin gjetur dy gëzhoja të armës.

Më pas, nga Policia patën deklaruar për mediat se rasti, ndonëse fillimisht u tha se kishte elemente të vetëvrasjes, kishte nisur të hetohej si “vdekje e dyshimtë”.

“Mbështetur në të dhënat fillestare të këqyrjes së vendit të ngjarjes, përkundër që ka elemente që sugjerojnë për një vetëvrasje të mundshme, policia me kujdes të shtuar po heton rastin si ‘vdekje të dyshimtë’ dhe po ndërmerr të gjitha veprimet e duhura hetimore dhe ato forenzike – të ekzaminimit, që do t’i ndihmonin hetimit të ngjarjes dhe sqarimit e ndriçimit të plotë të rastit”, thoshte Policia.

Motra e zyrtarit të Doganës i zë rrugën në shesh Kurtit e Sveçlës: “Kërkuam takim, na injoruat”

Një qytetare e vetme zuri krejt pushtetarët e VV në shesh dhe i bëri horë: “Asnjëherë, asnjëherë, asnjëherë”

 

Shpërndaje në: