Ky ishte sekreti i madh i Albin Kurtit për t’u bërë kryeministër

Ky ishte sekreti i madh i Albin Kurtit për t’u bërë kryeministër

Zgjedhjet e parakohshme e nxorën një rezultat të paskohshëm. Një rezultat që e kisha parashikuar para dy vitesh. Fitoi bindshëm fryma e ‘ndryshimit’. Fituan bindshëm partitë opozitare, VV-ja e Albinit dhe LDK-ja e Vjosës, ndërsa partitë e PAN-it pësuan debakël. PDK i mori më pak se 22 për qind të votave, AAK më pak se 12 ndërsa Nisma e AKR-ja nuk e kaluan pragun.

Por, fitorja e plotë megjithatë i takon vetëm Albin Kurtit – kandidatit të Vetëvendosjes për kryeministër. Vetëvendosje doli më e votuar se LDK-ja, dhe Kurti me shumë gjasë do të dalë më i votuar se Vjosa Osmani.

Në këtë shkrim dua të përmend dy prej arsyeve kryesore që i detyruan njerëzit të mbështesin liderin e Vetëvendosjes, dhe sekretin e tij më të madh në pjesën e tretë.

Korrupsioni

“Cogito, ergo sum” është ndoshta pohimi më i rëndësishëm i modernitetit, i shprehur nga filozofi i madh Rene Descartes në shekullin XVII. I përkthyer në shqip, ai pak-a-shumë bën “Mendoj, pra jam” duke i dhënë cogito-s, mendimit, subjektit, vlerën e një gurthemeli të ekzistencës njerëzore dhe duke e çelë horizontin e një pushteti që shpejt do të fabrikonte në masë individin.

Natyrisht, filozofia karteziane është kapërcyer shumë kohë më parë, bashkë me individin e cogito-n – që kanë mbetur si relikte të moçme të cilat sot përdoren veç nga njerëz të painformuar. Por, shkelmi i fundit babait të modernitetit, dhe vetë modernitetit, i vjen nga një vend në skutat më të thella të historisë, Kosova. Hajgare.

Qeveritë e pasluftës u ndërtuan mbi propozicionin si vijon “Corruptio, ergo sum!” që e përkthyer në shqip nga latinishtja do të bënte “korruptohem, pra jam.” Gurthemel i pushtetit të këtyre qeverive u bë pikërisht korrupsioni, ose abuzimi.

Pse? Sepse nga marrëdhëniet e dendura e të afërta me këtë milet, nuk dilte se kërkonin meritokraci, por e kundërta, lehtësi në punësim e në privilegje. Një pushtet meritokratik mund t’i linte të gjithë të papunë – sepse, mungonin kuadrot profesionale, mungonte kompetenca, dhe fuqia punëtore ishte thuaj krejtësisht e pakualifikuar.

Eh pra, pushtetet thjesht u bënë konformiste ndaj trysnisë shoqërore që donte punë, donte shkollim, donte favore, e s’ishte kurrkah në kompetencë. Që korrupsioni të harlisej gjithandej mjaftoi thjesht një mbyllje e syve, mjaftoi frika për konfrontim të tij. Skema e prodhimit i ka themelet e shtrembra në vitet 2000, dhe s’do t’ia ves letrat asnjë kryeministri.

Kosova kishte kryeministra me rrebe e të trentë, por të gjithë iu nënshtruan kokulur Rrahman Jasharajt të SBAShK-ut.

Kriza e imazhit – dëbimi i fshatarëve të varfër

Pushtetet e deritashme i kishin rrënjët në fshatarësinë e varfër të vendit. Ishin ndoshta njerëzit më të diskriminuar në regjimin jugosllav. E megjithatë, e tradhtuan pozicionin socio-ekonomik që i përkisnin dikur.

Por, kjo s’është aq e thjeshtë. Gjithë ajo strukturë njerëzish që morën favore e punë pas lufte, neveritej nga imazhi i tyre.

Kriza jonë e imazhit nisi në vitin 2014. Dhe e gjithë kjo, nga një mospërputhje e plotë e rezultatit zgjedhor (që e nxori PDK-në fituese) me imazhet e prodhuara. Kësisoj, situata u përkeqësua ndjeshëm dhe një fushatë agresive pushtuese filloi. Nuk u kursye asnjë mjet i mundshëm. Sa për ta ilustruar këtë, duhet përmendur raportimin skandaloz që e bëri një televizion mjaft profesional për standardet tona, KTV-ja, duke i intervistuar të dehur e në pozita të palakmueshme disa simpatizantë të PDK-së. Videoja në fjalë u klikua jashtëzakonisht shumë në rrjetet sociale duke ndjell tallje e sharje të rënda për njerëzit në fjalë – të cilat eskalonin edhe në racizëm për provincën nga ata vinin, dhe tipin rural të cilit i përkisnin. Qëllimi i videos ishte t’i portretizonte votuesit e kësaj partie dhe t’i bënte objekt të përqeshjes. Ky është momenti i fillimit të krizës. Në këtë mospërkim imazhesh. Pasojë e saj ishte ndërtimi i një refuzimi të plotë për PDK-në nga të gjitha partitë e tjera parlamentare dhe nga e gjithë shoqëria civile. Çdo bashkëpunim i mundshëm me ta, e bënte të ndotur secilin. Dhe kësisoj, u izolua e linçua tridhjetë përqindëshi i elektoratit kosovar. PDK-ja e bën të duket keq sistemin politiko-ekonomik të instaluar nga bashkësia ndërkombëtare dhe strukturën sociale.

Nuk po përmend këtu edhe dy të rinjtë e “A bën me folë?” që e pësuan keq shkaku i theksit të tyre dhe mbështetjes që kishin për PDK-në. E po ashtu, as njeriun që thoshte “ma kanë votu votën” i cili dje raportoi se po ikte nga vendi bash për shkak të përqeshjes publike.

Shoqëria kosovare e votoi Vetëvendosjen sepse është në urbanizim e sipër dhe në mënyrë perverse stigmatizon fshatarësinë. Humoristët më të njohur në vend, që kanë miliona shikime, Stupcat, shumicën e herëve si personazhe të korruptuara, hajdutë, i kanë fshatarët ndërsa si personazhe të ndershme i kanë qytetarët.

Ky mesazh është kuptuar moti nga PDK-ja, por veçanërisht në zgjedhjet e fundit, kur zëvendësuan komandantët që rridhnin nga kjo fshatarësi e varfër, me ikona urbane si Migjen Kelmendi e Eliza Hoxha [nr.3 në listë], apo me gra me nam si Besa Ismaili e Valdete Idrizi.

Dhe tashmë, ne rrezikohemi që PDK-ja pas ‘shpëlarjes’ në opozitë, të na dalë më e pranueshme e më e paqtë – shkaku i këtyre njerëzve urbanë në listë, dhe jo për shkak të një ndërrimi eventual përmbajtësor.

Albini pra fitoi, edhe sepse ishte rritur në qytet. Sepse nuk kishte theks prej ndonjë zone të prapambetur në Kosovë dhe sepse aktivistët po ashtu s’e kishin atë ‘problem’.

Politikani post-ideologjik

Albin Kurti nuk udhëheq një parti të majtë, apo të qendrës së majtë siç i pëlqen të thotë. Ai udhëheq një parti post-ideologjike, që bën një përzierje të përçudnuar të nacionalizmit romantik me politika sociale, e me të cilat politika sociale lidhet më shumë e djathta e sotme në Evropën Lindore, e me raste e djathta ekstreme. Në partinë e tij kemi njerëz prej marksizmit ortodoks e deri në ekstremin e djathtë, ballistë.

Se sa i lidhur ishte Kurti me qëndrimet që promovonte partia e tij në të kaluarën, mund ta shihnim më së miri gjatë kësaj fushate. Ai ndihej i bezdisur kur pyetej për idetë e retorikën nacionaliste të partisë së tij, për parimin e vetëvendosjes, për statutin e partisë që e kishte harruar [se i duhej të dorëhiqej nga pozita e kryetarit në rast se zgjidhej kryeministër], për zëvendësimin e valutës Euro me Lekun etj.

Po ashtu, ai nuk u votua as për programin. U mor vesh shpejt se në fakt, programi i tij në këtë fushatë ishte bërë përngutshëm, shkel-e-shko, kur për një muaj e ndryshoi buxhetin për ushtrinë për hiç më pak se 200 milionë euro. Nga 600 milionë për katër vjet që i premtoi më 22 gusht, e reduktoi në vetëm 400 milionë që i premtoi më 23 shtator. E si kryeministër, unë shpresoj që do ta reduktojë edhe më shumë.

Kurti e përforcoi idenë, ndoshta pa dashje, se nuk ishte i robëruar nga idetë. Dhe qytetarët nuk e votuan për asnjë ide konkrete, për program apo diçka e tillë, por konkretisht për Albinin që do të ndryshonte kur t’i fitonte zgjedhjet. Pra, nuk e votuan Albinin aktual, por Albinin që do të arrinte të kapërcente aktualin.

Votuan për një njeri, dhe jo për idetë e tij. Votuan për pamjen e tij, si politikan i pakorruptuar, dhe jo për qëndrimet e tij.

Të shpresojmë që kryeministri i ardhshëm i vendit do të ketë punë të mbarë!

Shpërndaje në: