Ky do të jetë veprimi i të pakënaqurve pas dorëheqjes së Shpend Ahmetit

Periskopi.com Lajme

Shpend Ahmeti më në fund i dha fund agonisë së pavendosmërisë kalkuluese për pozicionin e tij brenda Lëvizjes Vetëvendosje. Ai dha dorëheqje nga partia ku u etablua si figurë politike, por nuk tha se do të shkojë në grupin e të pakënaqurve, që udhëhiqet nga Dardan Molliqaj e Visar Ymeri.

Periskopi ka arritur të mësojë se grupi i të pakënaqurve, pjesëtarët e të cilit u dorëhoqën së fundmi nga Lëvizja Vetëvendosje, si pasojë e përplasjeve pas mesazhit të Aida Dërgutit, do ta zyrtarizojnë grupin e tyre para fundjavës.

Grupi i të pakënaqurve nuk ka marrë ende ndonjë vendim konkret për të ardhmen e tij politike, por sipas informacioneve, së pari do ta formojë grupin parlamentar e më pas do të shqyrtojë mundësitë për themelimin e një partie të re politike. Megjithatë, partia politike mbetet që të negociohet mes anëtarëve me qëllimin e përputhjeve së ideve të tyre, që në shumë çështje e tematika janë të ndryshme.

Veprimi për zyrtarizmin e grupit parlamentar, vjen pikërisht pas vendimit të Shpend Ahmetit që të dorëhiqet dhe kjo po bëhet për arsye sepse ata kanë pritur që Ahmeti të jetë pjesë e grupit të  tyre.

Megjithatë, Ahmeti në letrën e dorëheqjes nuk qartësoi vendime për të ardhmen e tij politike.

“Kjo nuk do të thotë se Albini, Visari, e Dardani e krejt të tjerët nuk kane të drejtë në mendimin e tyre.  Sigurisht se ata do të luftojnë për të vërtetën e tyre.  Secilit i dëshiroj sukses në ndjekjen e qëllimeve të veta, në qoftë se i kanë të mira.  Ndoshta rrugët na bashkohen prapë, por për mua tashmë me arsye, kushte e metoda tjera.  Secilit aktivist i përkulem për secilën punë të bërë për të mirën e vendit.  Do t’i jap llogari secilit prej tyre individualisht për mandatin dhe punën time dhe dera ime do të jetë gjithmonë e hapur për ta.  Asambleistëve të LVV nuk u kërkoj të bëjnë asnjë gjë karshi vendimit tim. Për mua janë të njejtit sido që të vendosin. Qytetarët e Prishtinës i siguroj se e ardhmja ime politike është e lidhur më shumë se kurrë me Kryeqytetin. Jam i vetëdijshëm se ndoshta mund ta kemi më vështirë në Kuvendin Komunal por qëndrimet dhe bindjet janë më të rëndësishme se komoditeti. Unë mbetem i njejti, besnik ndaj vetvetës dhe qytetarëve të Prishtinës. Me konceptin e transparencës dhe llogaridhënies i cili na mundësoi kthimin e normalitetit në qytet, do të vazhdoj të punoj në realizimin e reformave dhe zotimeve për një zhvillim të hovshëm dhe të barabartë të Prishtinës. E gjithë energjia ime do të fokusohet në krijimin e kushteve për një jetë më të mirë për qytetarët e Prishtinës të cilët duhet ta ndjejnë vetën të barabartë në mes veti dhe me banorët e kryeqyteteve tjera sa i përket ofrimit të shërbimeve dhe infrakstrukturës publike”, thekson Ahmeti në letrën e tij të dorëheqjes.

Mësohet po ashtu, se Ahmeti vendimin final për tërheqje nga Vetëvendosje e mori pas seancës së sotme të Kuvendit Komunal të Prishtinës për votimin e raportit të tremujorit të katërt buxhetor për vitin 2017, i cili nuk u votua nga asamblistët e Vetëvendosjes që përkrahin Albin Kurtin. Kësisoj, raporti buxhetor nuk kaloi dhe u kthye prapa.

Ahmeti në publik perceptohet si figurë e rëndësishme në Vetëvendosje, si një politikan me pikëpamje ndryshe, çka bëri të shihet si politikan më liberal në raport me pikëpamjet rigjide politike të disa zyrtarëve të rëndësishëm brenda partisë, siç janë Albin Kurti dhe përcjellësit e tij besnik. /Periskopi/

Shpërndaje në: