Ky vendim pritet të merret për fillimin e mësimit

Ky vendim pritet të merret për fillimin e mësimit

Pritet të konfirmohet sot rekomandimi për nisjen e procesit mësimor në Kosovë nga e hëna.

Sipas Sazan Ibrahimit, kryetarit të Asociacionit të Komunave të Kosovës, viti i ri shkollor pritet të fillojë nga e hëna dhe ky vendim, siç ka bërë të ditur ai, do të konfirmohet së shpejti.

“Fillimi i vitit shkollor të bëhet nga e hëna, duke u bazuar në katër skenar të përgatitura nga Ministria e Arsimit në bashkëpunim me kryetarët e komunave”, tha Ibrahimi të enjten, ditën kur pritet të mbahet një mbledhje mes përfaqësuesve të Asociacionit të Komunave të Kosovës dhe atyre të Ministrisë së Shëndetësisë.

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, derisa po raportonte në Komisionin për Shëndetësi të mërkurën, paralajmëroi masa të reja anti-COVID.

Vitia deklaroi se nga data 27 shtator, të gjithë personat që duan të hyjnë brenda hapësirave të lokaleve të gastronomisë, duhet të kenë certifikatën e vaksinimit.

“Në masat që jemi duke hartuar tani edhe në gastronomi të aplikohet nga data 27 shtator të aplikohen masa kufizuese vetëm me certifikatë të vaksinimit, me test PCR dhe me test serologjik. Shoqata e Gastronomeve është treguar bashkëpunuese në këtë drejtim. Me këto shifra, një masë e tillë nuk është më pengesë as për sektorin e gastronomisë”, ka deklaruar Vitia.

Po ashtu, Vitia tha se Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës ka rekomanduar që masat për shkollat të vazhdohen.

“Rekomandimet e IKSHPK-së kanë qenë që shkollat duhet të ndërpriten dhe kjo të vazhdohet. Por, jemi duke vazhduar që të bëjmë maksimumin që të respektohen rekomandimet që të merren masat tjera që nuk e dëmtojnë procesin arsimor. Por ne duhet të jemi koshient për rrezikun kur të hapen shkollat, mbi 50 raste kanë qenë fëmijë që nuk kanë qenë të infektuar më herët me rastin Delta. Sistemi arsimor është më i afektuari nga pandemia. Jemi duke diskutuar edhe me MASHTI-n edhe UNICEF-it, ju bëjmë thirrje të vaksinohen edhe prindërit që kur t’i hapim shkollat të mos ketë nevojë të mbyllet, kur të paraqiten raste në shkolla”, ka deklaruar Vitia.

Shpërndaje në: