Kyretari i Dardanëve i përgjigjet selektores Fazlija: Ndeshja ishte në orar të papërshtatshëm, isha aty në përkrahje të vashave

Kyretari i Dardanëve i përgjigjet selektores Fazlija: Ndeshja ishte në orar të papërshtatshëm, isha aty në përkrahje të vashave

Kombëtarja e Kosovës në konkurrencën e femrave pësoi një humbje ndaj Polonisë në stadiumin ‘Fadil Vokrri’, dhe deklaratat e trajneres pas ndeshjes nxitën shumë reagime.

Selektorja Fazliji tha se mungesa e tifozëve në tribuna pati rolin e vet dhe shprehi bindjen se me përkrahje më të madhe, vashat mund të bëjnë më mirë.

“Mungesa e ‘Dardanëve’ është një prej pikave më të dobëta, sepse po t’i kishim ata në tribuna do të ishim më të mirë. Ne do ta japim maksimumin si me publik ashtu edhe pa publik, por më ka mbetur peng që nuk patëm më shumë tifozë të pranishëm në tribuna”, shprehej Afërdita pas ndeshjes, përcjell Periskopi.

Lidhur me këto deklarata, Periskopi ka kontaktuar edhe kryetarin e Dardanëve, Luli Berisha, i cili ka thënë se ishte i pranishëm në këtë ndeshje, së bashku me disa djemë të tjerë, por që pjesa tjetër e tifozëve janë jashtë Prishtinës, dhe orari ishte i papërshtatshëm.

“Unë personalisht, si kryetar i tifo-grupit, ashtu siç kam qenë prezent në secilën ndeshje, isha prezent edhe ndaj Polonisë. Gjithashtu prezent ishin edhe disa djemë tjerë, si dhe familjarë e shoqëri të lojtareve, dhe mundoheshim t’iu jepnim përkrahje”, ka thënë Luli për Periskopin.

“Arsyeja kryesore pse Dardanët nuk ishin në numër më të madh në këtë ndeshje, ishte koha e shkurtër e organizimit si dhe koha e ndeshjes, që ishte jo mjaft e përshtatshme, duke ditur se në grupin tonë bëjnë pjesë tifozë nga gjithë qytetet e Kosovës. Po ashtu, në këtë kohë, të gjitha hyrje-daljet e Prishtinës janë me bllokada. Ne, siç i kemi përkrahë gjithmonë nga rrjetet sociale, kemi shkuar edhe në stadium, kemi udhëtu dhe jemi organizuar edhe në pandemi, në ndeshjet kundër Rusisë në Gjermani p.sh., por do të vazhdojmë edhe në të ardhmen që t’i përkrahim vashat tona, çdo herë, në çdo kohë. Forca Kosova”, ishte përgjigja e kryetarit të Dardanëve.

Ndeshja e vashave të Kosovës ishte e vlefshme për kualifikueset e Botërorit 2023. Kosova luan në grupin F në këto kualifikuese, grup ku bëjnë pjesë edhe Norvegjia, Belgjika, Shqipëria e Armenia.

Aktualisht, Dardanet numërojnë katër pikë dhe mbajnë pozitën e pestë. Të martën e fundit e nëntorit, Dardanet luajnë përsëri në ‘Fadil Vokrri’, kur presin Shqipërinë. /Periskopi/

Shpërndaje në: