Lajçak dhe Escobar mbërrijnë në Beograd

Lajçak dhe Escobar mbërrijnë në Beograd

Emisari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajcak, dhe i dërguar amerikan për Ballkanin, Gabriel Escobar, kanë mbërritur në Serbi.

Ata janë pritur nga presidenti serb, Aleksander Vuçiq.

Vizita e tyre në Beograd vjen pasi zhvilluan takime me krerët e institucioneve, partive politike, si dhe shoqërinë civile në Kosovë.

Takimet kanë për qëllim gjetjen e zgjidhjes pas situatës së krijuar në veri të Kosovës.

Mbrëmë, ata i kanë paraqitur kryeministrit Albin Kurti një propozim me tri elemente. I pari është de-eskalimi i situatës në terren në tri komunat veriore, pastaj zgjedhje të shpejta në këto komuna si dhe rikthimi në dialog.

Pas takimit, të dy deklaruan se faktori ndërkombëtar është unik në këto kërkesa dhe shpresojnë se të njëjtat do të dëgjohen.

Në Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq, serbët po protestojnë duke kundërshtuar hyrjen e kryetarëve të rinj shqiptarë në objektet komunale, si dhe praninë e Policisë së Kosovës.

Si pasojë e veprimeve të protestuesve kanë mbetur të lënduar disa policë dhe pjesëtarë të KFOR-it. Gjithashtu, janë djegur dhe dëmtuar vetura të Policisë së Kosovës dhe të mediave.

Situata në këto komuna është tensionuar të premten e 26 majit kur kryetarët e betuar u detyruan të futën në zyrat e tyre të punës nën asistencën e Policisë.

Ky veprim i institucioneve të Kosovës është kritikuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian derisa kanë kërkuar shtensionim të menjëhershëm të situatës në veri.

Javën që shkoi, u bë e ditur kërkesa e ndërkombëtarëve për  zgjedhje të reja në katër komunat veriore të Kosovës.

Shpërndaje në: