Lama dekretohet si ambasadore e Kosovës në Itali

Lama dekretohet si ambasadore e Kosovës në Itali

Deri tani deputete e Kuvendit të Kosovës, Alma Lama nëpërmjet Facebook-ut ka njoftuar se sot ka marrë dekretimin nga ana e Presidencës për të vazhduar detyrën e saj si ambasadore në Itali. Lama, e emocionuar njofton se ka dhënë dorëheqje nga posti i deputetes së Kuvendit të Kosovës për të vazhduar me detyrën e re diplomatike.

Vonesat në dekretimin e Lamës u komentuan si presion i presidentit të Kosovës, Hashim Thaçim për ta mbajtur atë deri më 1 shtator, kur votohet demarkacioni.

Më poshtë sjellim të plotë postimin e Lamës:

Të dashur miq, dashamirës, bashkpunëtorë, votues…

Dëshiroj t’iu njoftoj se sot mora dekretimin për të përfaqësuar si ambasadore Republikën e Kosovës në shtetin e Italisë. Po kështu dhashë dorëheqjen nga posti i deputetes së Kuvendit të Kosovës. Ky ishte një moment mjaft emocional për mua, sepse kam investuar shumë nga energjitë e mia në këtë punë, dhe ishte krijuar një lidhje shpirtërore. Është privilegj të jesh përfaqësues i popullit, ashtu sikurse është përgjegjësi e madhe. Ajo cfarë më bën krenare është se prej ditës së parë që kam shkelur në Kuvend, kam punuar me përkushtim maksimal që të përfaqësoj denjësisht interesat e qytetarëve dhe shtetit të Kosovës. Kam punuar me idealizëm, me kaq shumë idealizëm sa për disa njerëz është i pakuptueshëm. E për disa të tjerë, është bërë motiv për të më sulmuar pa zgjedhur mjete. Por pavarësisht, rrugëtimi im do të vazhdojë po me kaq idealizëm edhe në detyrën e re.

Ju falenderoj thellësisht nga zemra për mbështetjen tuaj të deritanishme, e bindur se kjo mbështetje nuk do të më mungojë as në të ardhmen.

Tani e tutje si përfaqësuese e shtetit të Kosovës dhe qytetarëve të saj, do të punoj me të njejtin përkushtim që Kosova të përfaqësohet në mënyrën më të denjë të mundshme në shtetin mik, Italinë, që qytetarët e Kosovës që jetojnë atje, të ndihen të përkrahur dhe dinjitozë për shtetin e tyre, që marëdhëniet mes dy vendeve të avancohen, duke respektuar plotësisht punën që kanë bërë paraardhësit e mi atje.

I falenderoj përfaqesuesit e institucioneve për besimin e treguar.

Me respekt

Shpërndaje në: