Largimi i Griezmann nga Barcelona – lojtari la “një thes me miliona” te katalanasit

Largimi i Griezmann nga Barcelona – lojtari la “një thes me miliona” te katalanasit

Antoine Griezmann e kishte kuptuar që te Barcelona nuk kishte të ardhme dhe nuk do të bëhej kurrë një prej futbollistëve të adhuruar nga publiku. Ndaj sapo iu dha mundësia, edhe pse në ditën e fundit të merkatos, ai vrapoi me shpejtësi për t’u arratisur me kuptimin e mirëfilltë të fjalës.

Sulmuesi francez ishte i gatshëm të bënte çdo gjë për të ikur, aq sa hoqi dorë nga një shifër e pabesueshme që do të përfitonte te kjo skuadër. E përditshmja katalanase “Sport” ka mësuar shifrat e marrëveshjes së tij me Barcelonën dhe aty janë shuma të frikshme, transmeton Periskopi.

Kështu, vetëm rrogë bruto, Griezmann kishte firmosur për një sistem me rritje në çdo sezon. Në vitin e parë, rroga e tij kishte qenë 17 milionë euro, me 18 milionë euro të përfituara në vitin e dytë. Në këtë sezon do të përfitonte 19 milionë euro, ndërsa në dy vitet e tjera të mbetura do të përfitonte 20 dhe 21 milionë euro.

Kjo ishte edhe arsyeja pse Barcelona vendosi të hiqte dorë në këtë mënyrë nga lojtari, pasi vetëm nga tre vitet e fundit të kontratës, do të kursente 60 milionë euro, një shifër e pabesueshme nga e cila Griezmann vendosi të hiqte dorë. Dhe këtu nuk përfshihen as bonuset që mund të përfitonte ai gjatë qëndrimit te katalanasit për trofe apo arritje individuale, gjë që tregon më së miri se Griezmann ishte praktikisht lojtari i dytë me rrogën më të lartë në klub, i kaluar vetëm nga Messi dikur. /Periskopi/

Shpërndaje në: