Latifi: 130 mjekë e 160 infermierë janë të infektuar me COVID-19

Latifi: 130 mjekë e 160 infermierë janë të infektuar me COVID-19

Ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi, u është përgjigjur akuzave të opozitës për masat në fuqi antiCOVID-19 duke thënë se ato janë marrë në konsultim me të gjitha palët.

Në seancën e sotme plenare mbi pandeminë, ministri Latifi ka deklaruar se përkundër rritjes së shpejtë të rasteve pozitive me COVID-19, numri i të hospitalizuarve vazhdon të jetë i ulët dhe i menaxhueshëm, teksa ka ngritur si shqetësim numrin e mjekëve dhe infermierëve të infektuar me koronavirus.

“Sipas të dhënave të SHSKUK-së dhe QKUK në të gjitha spitalet tona janë trajtim 181 pacientë prej tyre 149 me COVID të konfirmuar dhe vetëm dy në kujdesin intensiv. Unë pajtohem sërish dhe plotësisht me kolegun tim Dreshaj që ne duhet të rritim numrin dhe kualitetet e shërbimeve të kujdesit intensiv në Kosovë. Elementi i tretë që ne jemi duke u bazuar është numri i punëtorëve shëndetësorë të infektuar me COVID, përkatësisht aftësia e sistemit shëndetësor t’i përballojë një fluksi të madh të mundshëm. Sipas të dhënave të djeshme, ne kemi pasur mbi 130 mjekë dhe 160 infermierë të infektuar, por në bazë të evidencës me omicron dhe praktikave të menaxhimit që filloi në SHBA, ne e kemi shkurtuar afatin në punë në pesë ditë nëse janë pa simptoma klinike”, tha ai.

Ministri Latifi kërkoi nga deputetët që të diskutojnë për transformimin e shëndetësisë kosovare në të ardhmen, ku në qendër të vëmendjes do të jetë pacienti.

“Në Kosovë ne kemi zgjedhur një rrugë më të moderuar kemi vendosur kufizime në sektorë të caktuar që janë me rrezik të lartë dhe po presim të shohim se si po zhvillohet situata në spitalet tona. Natyrisht që për çdo ditë e vlerësojmë këtë dhe do t’i marrim masat konform zhvillimeve… Si shumë të këqija tjera që i kanë ngjarë Kosovës edhe kjo do të përfundojë, por herën tjetër kisha dëshiruar jashtëzakonisht shumë që të ulemi në këtë dhomë të shenjtë dhe të merremi vesh se si ta transformojmë shëndetësinë e Kosovës për të diskutuar transformimin e shëndetësisë dhe shkencës mjekësore që është neglizhuar për tri dekada dhe në qendër të vëmendjes të kemi pacientin, dhe e gjithë kjo të menaxhohet nga një ekip i shkëlqyeshëm i mjekëve dhe shkencëtarëve tanë të Kosovës”, u shpreh Latifi.

Shpërndaje në: