Latifi: Kurti mori leksione me dështimin në vizitën e parë në ShBA – s’mund të qeverisësh duke injoruar kërkesat amerikane

Latifi: Kurti mori leksione me dështimin në vizitën e parë në ShBA – s’mund të qeverisësh duke injoruar kërkesat amerikane

Profesori universitar dhe analisti Blerim Latifi, shkruan se ‘dështimi në vizitën e parë të Kurtit i ka shërbyer për leksionin e domosdoshëm se nuk mund të qeverisësh në Kosovë duke injoruar kërkesat amerikane’.

Tutje Latifi thotë se me deklaratën e sotme të ambasadorit amerikan në Prishtinë, z.Hovenier, se kishte koordinim mes qeverisë dhe faktorit ndërkombëtar për masat e fundit (dokumentet dhe targat), është leksion për opozitën që s’mund të shërbehet më me ‘tregimin e antiamerikanizmin e Kurtit’.

Z.Latifi shkruan:

“Dështimi në vizitën e parë në SHBA, me gjasë Kurtit do t’i ketë shërbyer për ta marrë leksionin e domosdoshëm, të cilin e dinin të gjithë paraardhësit e tij: Nuk mund të qeverisësh në Kosovë duke injoruar qëndrimet dhe kërkesat amerikane.

Në vizitën e dytë Kurti duhet t’ua ketë bërë të qartë amerikanëve se tanimë e ka kuptuar mirë leksionin në fjalë. Testi i parë provues për këtë ishte pardje në veriun e Kosovës. Opozita vrapoi ta akuzojë Kurtin për moskoordinim me amerikanët. Sot ambasadori amerikan doli e tha se çdo gjë ishte e koordinuar me zyrën e tij.

Pasojat e këtyre zhvillimeve janë të qarta: opozita nuk mund të llogaris edhe më tutje në raportet e ngrira midis Kurtit e Uashingtonit. As në tregimin për antiamerikanizmin e tij. Ajo duhet të kërkojë fusha të reja të opozitarizmit. Nëse veç është e interesuar për këtë punë”.

Sot, Ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeffrey Hovenier ka konfirmuar se vendimet e Qeverisë së Kosovës për reciprocitet me Serbinë për çështjen e targave dhe dokuemntet e hyrje-daljeve ishin “plotësisht të koordinuara me komunitetin ndërkombëtar”.

Hovenier ka shkruar në Twitter se SHBA-ja mirëpret vendimin e liderëve të Kosovës për pezullimin e përkohshëm të këtyre masave të reciprocitetit.

“SHBA mirëpret vendimin e liderëve të Kosovës për ta pezulluar përkohësisht zbatimin e masave të reciprocitetit për targat dhe dokumentet për hyrje/dalje, të dyja masat janë plotësisht në përputhje me marrëveshjet e Brukselit dhe ishin të koordinuara me komunitetin ndërkombëtar”, shkroi ambasadori amerikan.

RIKUJTOJMË: Për shkak të vendimit të Qeverisë së Kosovës për targat dhe dokumentet serbe, serbët lokalë në Kosovë më 31 korrik vendosën barrikada në rrugët që çojnë në Jarinjë dhe Bërnjak.

Qeveria tha se do të shtyjë zbatimin e vendimeve për lëshimin e dokumenteve për hyrje-dalje për shtetasit e Serbisë që hyjnë në Kosovë dhe atë për ndryshimin e targave serbe, kur të hiqen bllokadat.

Vendimi për lëshimin e dokumenteve për hyrje-dalje, po zbatohet në katër pikat e tjera kufitare me Serbinë, të cilat janë të hapura.

Misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR, tha se është i përgatitur të ndërhyjë nëse rrezikohet stabiliteti në veri të Kosovës./Periskopi 

Shpërndaje në: