Latifi: Rugova nuk e ndoqi deri në fund shtegun e idolit të tij

Latifi: Rugova nuk e ndoqi deri në fund shtegun e idolit të tij

Profesori Blerim Latifi ka shkruar për presidentin Ibrahim Rugova në ditëlindjen e tij, duke thënë se ai nuk e ndoqi deri në fund shtegun e idolit të tij, që thuhej se ishte Pjetër Bogdani, autori i parë origjinal i letërsisë shqiptare.

Latifi shkroi se Bogdani e kishte ditur se vjen një moment kur fjalët duhet të lihen anash dhe të kapen armët. Ai thotë se Rugova s’e kishte kuptuar këtë.

“Shpesh thuhet se Ibrahim Rugova e kishte idol Pjetër Bogdanin. Ishte aq i dhënë pas figurës së tij, saqë zgjodhi të bënte doktoraturën mbi veprën e Bogdanit “Çeta e Profetëve”. Por Rugova nuk e ndoqi deri në fund shtegun e idolit të tij. Pjetër Bodgani e dinte se gjithmonë vjen një moment kur fjalët duhet të lihen anash dhe të kapen armët. Sepse tirania nuk lëkundet pa e ndi erën e barotit. Rugova nuk qe në gjëndje ta kuptonte se ky moment kishte ardhur pas Daytonit”, shkruan Latifi.

Ai hamendëson se çfarë mund të ketë mednuar Ibrahim Rugova atë kohë.

“Ndoshta pse nuk besonte se do të mund të qëndronim përballë një Serbie të pajisur me njërën ndër armatat më të fuqishme të Europës. Ndoshta pse besonte në mrekullinë e pacifizmit. Ndoshta pse nuk donte të marrë përgjegjësinë për vuajtjet që sjell lufta- tipar ky i intelektualëve me ndërgjegje humaniste. Si lider politik i një populli të shtypur, atij i duhej të ushqente besimin e njerëzve për çlirim, por thellë në veten e tij atë e dominonte skepticizmi i intelektualit. Dhe, kështu, të gjendurit midis këtyre dy pozicioneve ia paralizonte veprimin praktik”, shkroi Latifi.

Ai e vlerëson rolin e Rugovës në Rambuje dhe pas luftës, ndërsa konsideron se trashëgimia e tij është vazhdimësi e mesazhit themelor të Rilindjes kombëtare.

“Në Rambuje u tregua konstruktiv dhe pas luftës ndikoi në mënyrë vendimtare që tensionet politike të mos shndërroheshin në vllavrasje politike. Trashëgima e tij politike është vazhdimësi e mesazhit themelor të Rilindjes sonë kombëtare: fati i shqiptarëve është i garantuar vetëm për aq kohë sa ata i mirëmbajnë lidhjet me Perëndimin dhe synojnë vlerat e tij”, shkruan Latifi.

Shpërndaje në: