Latifi thotë që Kadri Veseli nuk është për rrëzimin e Kurtit dhe i bën thirrje LDK-së që të tërhiqet nga mocioni

Latifi thotë që Kadri Veseli nuk është për rrëzimin e Kurtit dhe i bën thirrje LDK-së që të tërhiqet nga mocioni

Profesori universitar dhe ish këshilltari i Kadri Veselit e Hashim Thaçit, Blerim Latifi, ka bërë një postim mjaft sqarues në lidhje me zhvillimet politike në vend në kohën e pandemisë Covid-19.

Latifi ndër tjerash ka thënë që faji për rrëzimin eventual të qeverisë në këtë kohë do t’i shkonte i gjithi LDK-së, dhe se Vetëvendosje do të bënte fushatë ultra-populiste (sic) për t’i marrë votat kësaj partie, shkruan Periskopi.

Ndërkohë, ai deklaron edhe se dikush “i ka folur në vesh Veselit”, e i cili është kryetar i PDK-së dhe i cili e di rrezikun elektoral të mbajtjes së zgjedhjeve në këtë kohë.

“Përveç fajit për rrëzimin e qeverisë në kohë të keqe për vendin, ajo (LDK) rrezikon të përçahet midis fraksionit që anon nga VV-ja dhe fraksionit që kujton ditët e begatshme të bashkëqeverisjes me PDK-në. E fajësuar dhe e përçarë, ajo nuk do mund t’i shpëtojë katastofës elektore.” – thotë z.Latifi.

Më poshtë e keni statusin e plotë të tij në Facebook:

 

Kurti zgjodhi momentin më të përshtatshëm për të që të godas kundërshtarin e vetëm në qeveri, Agim Veliun. LDK, në nervozë e sipër, iu kundërpërgjigj me inicimin e mocionit të mosbesimit. Partitë opozitare vrapuan që ta mbështesin, përjashto PDK-në e cila ishte e dykuptimshme në shpjegimin e mënyrës se si do të vepronte në raport me mocionin. Me gjasë dikush i ka folur në vesh Kadri Veselit për t’i treguar rrezikun elektoral nga rrëzimi i qeverisë në këtë kohë. Kurti reagoi me qetësi ndaj këtij zhvillimi të nxitur nga LDK-ja, ndërsa punën e ndyrë për të njollosur partnerin qeverisës ua la fallangave digjitale të VV-së. Qetësia e Kurtit buron nga fakti se nëse ai rrëzohet në kulmin e epidemisë, faji do të kaloj të LDK dhe opozita. Kurti do të thotë se derisa ai po luftonte me epideminë, kundërshtarët e tij e rrëzuan ngase u intereson vetëm pushteti, e jo populli i kërcënuar nga epidemia. Ky rrëfim përbën një adut të fortë për të bërë një fushatë ultrapopuliste në zgjedhjet e reja. Këtë e di edhe presidenti i cili nuk po flet fare për rrëzimin e qeverisë. Në tërë këtë rrëmujë politike koston më të madhe do ta paguaj LDK, në rast se nuk tërhiqet njëherë për njëherë nga mocioni. Përveç fajit për rrëzimin e qeverisë në kohë të keqe për vendin, ajo rrezikon të përçahet midis fraksionit që anon nga VV-ja dhe fraksionit që kujton ditët e begatshme të bashkëqeverisjes me PDK-në. E fajësuar dhe e përçarë, ajo do nuk mund t’i shpëtoj katastrofës elektorale. Në këtë situatë ajo ndodhet para një dileme : të marrë hakun për Agim Veliun, ose të rrëzikoj këtë katastrofë. Nga kjo e fundit përfitimin më të madh do ta ketë VV-ja, sepse të dëshpëruarit nga LDK rëndom ikin në VV. Sidomos në qendrat e mëdha urbane.

Shpërndaje në: