Latifi thotë se fati i Albin Kurtit ndodhet në duart e Avdullah Hotit

Latifi thotë se fati i Albin Kurtit ndodhet në duart e Avdullah Hotit

Profesori universitar Blerim Latifi, ka bërë një postim në profilin e tij në Facebook duke analizuar sjelljet politike të Kurtit pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese për dekretin e Presidentit Thaçi që e nominonte mandatarin e LDK-së, Avdullah Hotin për formimin e qeverisë së re.

Latifi ka deklaruar se Kurti – i cili tha se nuk do ta pranonte këtë vendim – nuk mund ta pengojë rotacionin e pushtetin me mjete jodemokratike. Sipas tij një gjë e tillë do të ishte “fatale, si për Kurtin ashtu edhe për vendin.”

Ai ka akuzuar edhe këshilltarët e kryeministrit Kurti dhe njerëzit më të afërt gjatë periudhës së tij në qeverisje si “arrogantë e të padijshëm.”

Kujtojmë që disa nga këta këshilltarë politikë të Kurtit janë Driton Tali, Elvis Hoxha, Durim Berisha, më herët Shkëlzen Gashi etj. ndërkohë që njeriu më i afërt nga pozita në qeveri ishte zv.kryeministri Haki Abazi, shkruan Periskopi.

Sipas tij, karriera politike e Kurtit varet nga performanca e qeverisë së re. Ai beson se nëse Qeveria Hoti nuk përsërit gabimet e qeverive të mëhershme atëherë Kurti “do të humbas shumë nga shkëlqimi i tij”.

Statusi i plotë: 

Ardhja në pushtet dhe qëndrimi në pushtet janë dy gjëra të ndryshme! E para, rëndom, vjen nga gabimet e të tjerëve. E dyta, rëndom, varet nga mend e tua. Albin Kurtin e sollën në pushtet gabimet e të tjerëve, por ai nuk diti ta mbaj atë. Në mungesë të përvojës në pushtet, me besim të tepruar në intelektin e tij, dhe i rrethuar nga njerëz arrogantë e të padijshëm, ai e humbi shansin e tij kryesor për të qenë pjesë vendimtare në historinë e papërfunduar të lirisë së Kosovës. Rotacioni i pushtetit, që rrjedh nga aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese, nuk mund të pengohet me mjete jodemokratike. Do të ishte gabim fatal nëse do të tentohej një gjë e tillë. Si për Kurtin, ashtu edhe për vendin. Në rrethanat e reja politike, që janë krijuar nga mbrëmë, Kurtit i mbetet edhe një shpresë e vetme, shpresa se pushtetarët e rinj do të jenë aq të marrë sa t’i përsërisin gabimet e tyre të vjetra, të cilat kanë të bëjnë me keqqeverisjen, nepotizmin, klientelizmin dhe korrupsionin e shfrenuar. Nëse ata nuk i përsërisin ato gabime, ylli politik i Kurtit do të humbas shumë nga shkëlqimi i tij. Ndoshta në mënyrë të pakthyeshme!

Shpërndaje në: