LDK e LVV thonë se marrëveshja do të arrihet gjatë javës

LDK e LVV thonë se marrëveshja do të arrihet gjatë javës

Sot ka nisur regjistrimi i deputetëve të rinj të legjislaturës së shtatë të Kuvendit të Kosovës. Gjatë ditës deputetë të LDK-së e LVV-së, kanë pasur mundësi që të regjistrohen si deputet pranë administratës së Kuvendit, e të njëjtit janë shprehur optimist se marrëveshja e koalicionit qeverisës mes tyre do të arrihet gjatë kësaj jave. Të njëjtit madje po zotohen se deri në fund të muajit do të konstituohet edhe Kuvendi i Kosovës.

Haxhi Avdyli nga Lidhja Demokratike e Kosovës, i cili edhe për një mandat do të jetë deputet, tha se në afatet kushtetuese, brenda 30 ditëve do të konstituohet Kuvendi i Kosovës.

“Me këtë ne po hyjmë në një fazë të re, të konstituimit të Kuvendit. Dhe besoj në afatet kushtetuese brenda 30 ditëve nga data e certifikimit të rezultateve, dhe kjo kohë tani vetëm po numëron. Diku deri në fund të këtij muaji ne do ta kemi Kuvendin e konstituar dhe do të fillojmë me punët për të cilat na kanë deleguar qytetarët të Kosovës”, tha ai.

Krahas kësaj, Avdyli tha se vonesat pas kësaj kohe janë të panevojshme, ai u shpreh optimist se marrëveshja me Lëvizjen Vetëvendosje do të arrihet.

“Unë jam shumë optimist që koalicioni do të bëhet sepse nuk kemi rrugë tjetër. Neve qytetari na i ka besuar që të arrijmë këtë marrvëeshje, nuk na i ka besuar që ta bllokojmë njëri-tjetrin, dhe besoj që në kohën e duhur në afate kushtetuese do të arrihet koalicioni i shumë pritur”, ka shtuar Avdyli.

Optimist se kjo marrëveshje për koalicion qeverisës do të arrihet mes dy partive që kanë marrë më së shumti vota në zgjedhjet e 6 tetorit, po shprehet edhe Hekuran Murati nga Lëvizja Vetëvendosje. Murati i cili do të jetë për herë të parë deputet i Kuvendit të Kosovës, tha se ky koalicion do të arrihet gjatë kësaj jave.

“ Nuk është që dihet për ndonjë takim, megjithatë kjo është në diskrecionin e dy udhëheqësve të  partive, por po shpresoj dhe jam optimist që do ta kemi një koalicion gjatë kësaj jave, dhe do të fillojmë me punët sa më shpejt…Është në diskrecionin e presidentit për me thirr seancën konstituive që mundet me zgjat ligjërisht ose sipas Kushtetutës deri më 26 dhjetor, nëse nuk thirret deri atëherë ne mundemi me u mbledh edhe vet”, deklaroi Murati.

Megjithatë, kjo marrëveshje po shihet me skepticizëm nga profesori i së Drejtës Kushtetuese, Mazllum Baraliu. Ai thotë se gjasat që vendi të shkoj në zgjedhje janë të mëdha.

“Nëse afati 30 ditor kalon për mos konstituimin e Kuvendit dhe afati tjetër edhe nëse bëhet konstituimi i Kuvendit, por nuk bëhet Qeveria Brenda 60 ditëve, atëherë presidenti I vendit ka arsyje dhe ka obligim që t’i shpall zgjedhjet e reja, dhe të shkohet në zgjedhje të parakohshme të reja të cilat nuk mund të bëhen para së paku 45 ditë dhe që do të thotë futemi në dimër, futemi në një humbëtirë, në një hulli politike, të cilat nuk I dihen labirinthet, por pasoja mund të ketë”, shprehet Baraliu.

Ndryshe, janë 120 deputetë të rinj të cilët do të regjistrohen nga administrata e Kuvendit, ndërsa shumë shpejt pritet të thirret seanca konstituive ku ata do të japin betimin.

Seanca konstituive, deri në zgjedhjen e kryetarit dhe të nënkryetarëve do të kryesohet nga deputeti më i vjetër, i ndihmuar nga deputeti më i ri, sipas moshës.

Shpërndaje në: