LDK-ja merr vendim: As me PAN-in, as me VV-në

LDK-ja merr vendim: As me PAN-in, as me VV-në

Koalicioni PAN (Partia Demokratike e Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma) si fitues në zgjedhjet e 11 qershorit, në disa raste ka paralajmëruar se do ta ketë LDK-në pjesë të koalicionit të ardhshëm. Po ashtu, edhe Lëvizja Vetëvendosje, si subjekti që ka dalë në vendin e dytë nga zgjedhjet, pret rastin ta formojë Qeverinë nëse koalicioni PAN dështon. VV ka paralajmëruar se koalicionin mund ta formojë me LDK-në. Por, zyrtarët e LDK-së thanë tash për tash nuk ka interesim që të hyhet në koalicione.

Agim Veliu, nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës shprehet se janë duke pritur që partitë që kanë marrë numër më të madh të votave ta formojnë Qeverinë në bashkëpunim me pakicat.

“Ata i kanë numrat. Po presim që PAN-i, bashkë me Vetëvendosjen edhe me Listën Serbe dhe me pakicat tjetra ta formojnë Qeverinë. Këta janë ata që e kanë rrëzuar Qeverinë. Këta janë ata që janë bërë bashkë dhe po presim ta formojnë Qeverinë. Neve nuk na jepet ajo mundësi”, tha Veliu. “Unë jam ithtar i asaj që ne më mirë është të mbesim në opozitë sesa të hyjmë në variante që nuk janë të favorshme për LDK-në”!

Por, nga koalicioni PAN, përkatësisht nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës si pjesë e këtij koalicioni, thonë se llogarisin edhe në koalicionin me LDK-në. Pal Lekaj, nënkryetar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, thotë se i “kanë votat” dhe se Haradinaj është i gatshëm të bashkëpunojë dhe të lidhë marrëveshje edhe me LDK-në, për të pasur një Qeveri më stabile dhe funksionale”.

Duke i komentuar deklaratat e zyrtarëve të LDK-së se nuk duan të hyjnë në koalicione me partitë që tashmë pretendojnë se do ta formojnë Qeverinë, Lekaj tha se në politike “nuk duhet të mbahen inate, por duhet të mendohet për interesat e vendit”.

Po ashtu, edhe Lëvizja Vetëvendosje pretendon se do ta formojë Qeverinë, duke besuar se koalicioni PAN nuk do t’ia dalë të sigurojë minimumin prej 61 votave në Kuvend. Lëvizja Vetëvendosje pret që ta ketë partner të koalicionit LDK-në bashkë me partitë e tjera që janë pjesë e saj.

“Ne besojmë që populli ka votuar për ndryshime. Lëvizja Vetëvendosje është bërë partia më e madhe, kurse PDK është dërguar në opozitë. Ne duhet të bëhemi bashkë që pas Kuvendit të ri të kemi edhe Qeveri të re. Duket që z. Veliu i ka ngatërruar gjërat, duke filluar fushatën për zgjedhjet lokale në Llap”, ka thënë Tinka Kurti nga zyra për media në Vetëvendosje.

Pas shpalljes së rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës, të mbajtura më 11 qershor, nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, përfaqësuesit e partive politike thonë se ende nuk kanë krijuar koalicione paszgjedhore për krijimin e Qeverisë së re të vendit. Formim i Qeverisë, kërkon minimumin prej 61 votave të deputetëve të Kuvendit të Kosovës. /REL/

 

Shpërndaje në: