LDK: Nuk kemi asnjë iniciativë nga LVV për takim

LDK: Nuk kemi asnjë iniciativë nga LVV për takim

Kanë kaluar 10 ditë që nga takimi i fundit në mes të liderëve të dy partive që synojnë të formojnë koalicionin qeverisës. Isa Mustafa i LDK-së dhe Albin Kurti i Lëvizjes Vetëvendosje kanë pezulluar takimet pas kërkesës së LDK-së që në marrëveshje të përfshihet edhe posti i Presidentit, shkruan Periskopi.

Nënkryetarja e LDK-së Vjosa Osmani në deklaratën e fundit të dhënë rreth koalicionit me LVV-në, ka thënë se partia e saj është e gatshme të vazhdojë bisedimet me LVV-në dhe se po presin që ftesën për takimin e radhës ta bëjë partia e Albin Kurtit.

Por, Lëvizja Vetëvendosje ende nuk ka shprehur gatishmërinë që të thërrasë takimin.

Kështu të paktën ka deklaruar zëdhënësi i LDK-së Besian Mustafa në një përgjigje për Periskopin.

“Nuk kemi ende asnjë iniciativë deri në këto momente nga VV për të caktuar takim”, ka thënë Mustafa.

Ndërkohë zyrtarë të të dyja partive kanë deklaruar se fundmi se kanë gatishmëri që ta finalizojnë marrëveshjen për bashkëqeverisje në fund të kësaj jave. /Periskopi/

Shpërndaje në: