LDK: Qytetarët e Kosovës po kalojnë në një gjendje të rëndë, Qeveria po luan rolin e spektatorit

LDK: Qytetarët e Kosovës po kalojnë në një gjendje të rëndë, Qeveria po luan rolin e spektatorit

Ish-ministri i Bujqësisë, deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Besian Mustafa në një konferencë për medie ka thënë se Kosova është futur në krizë energjetike, që dita ditës po bëhet e pa përballueshme për qytetarët.

Sipas tij, kriza energjetike dhe rritja e vazhdueshme e çmimeve po e varfërojnë çdo ditë qytetarin e Kosovës.
“Kriza energjetike dhe kriza e rritjes së çmimeve po e varfëron çdo ditë qytetarin e Kosovës. Por në këtë krizë të madhe edhe më e varfër është përgjigja e Qeverisë së Kosovës me mungesën e masave që e përkrahin qytetari”.

Mustafa theksoi se dëshiron të dijë se si do të reagojë Qeveria në rast të thellimit të krizës.

“Tani që dimri po afron shpejtë i kërkojmë qeverisë t’i përgjigjet këtyre pyetjeve, a do të ketë mjaftueshëm energji në dimër apo do ketë reduktime, a do shtrenjtohet çmimi i energjisë për qytetarët dhe prodhuesit vendorë dhe nëse po, sa. Në rast të papërballueshmërisë çka do bëjë qeveria për qytetarin dhe sa familje kosovare rrezikohen të bien në varfëri nga rritja e çmimit të energjisë dhe produkteve esenciale”, tha Mustafa.

Ai theksoi se LDK qysh vitin e kaluar kishte paralajmëruar krizën energjetike dhe akuzoi Qeverinë se e ka injoruar atë dhe nuk ka ndërmarrë asnjë masë.

“Derisa qytetarët po përjetojnë gjendjen e rëndë me norma rekorde të inflacionit, me çmimet të rritura të produkteve bazike, pushteti ka zgjedhur ta luajë rolin e spektatorit. Ishte pranvera e vitit 2021 kur kryetari i LDK-së, Abdixhiku, paralajmëroi krizën e energjisë dhe përgjigja e parë e pushtetit ishte padëgjueshmëria dhe përgjigja e dytë ishte se kur nuk ka krizë, nuk kemi si të merremi me krizë. Kur arriti kriza pushteti insistoi se nuk do ketë reduktime të energjisë dhe shtrenjtim të faturave. Nuk vonoi shumë dhe ndodhi ajo që ne patëm paralajmëruar, përveç reduktimeve, u shtrenjtua edhe fatura”, ka thënë ai.

Mustafa tha ZRRE është shndërruar në departament të Qeverisë.

“Qeveria premton 19 milionë euro subvencion, kurse sektori i energjisë po shkon drejt bankrotimit. Edhe ZRRE-ja tani e shndërruar në departament të qeverisë, të enjten shprehur shqetësimin se mosalokimi i subvencionit për energjinë po rrezikon marrëveshjen e kyçjes dhe furnizimin me energji. Një gjë e tillë do shkatërronte vite e vite punë e përkrahje të partnerëve tanë për pavarësinë energjetike”, theksoi Mustafa.

Shpërndaje në: