LDK shuan shpresat për koalicion me Vetëvendosjen: E duam kryeministrin dhe pikë

LDK shuan shpresat për koalicion me Vetëvendosjen: E duam kryeministrin dhe pikë

Sot u hoq edhe një dilemë. Është Lidhja Demokratike ajo që po refuzon ta krijojë koalicionin e madh përballë koalicionit të udhëhequr nga PDK-AAK-NISMA, që ironikisht tashmë po quhet “Koalicioni Pronto”. Kjo parti nuk heq dorë nga insistimi i vet që ta kandidojë Abdullah Hotin për kryeministër të ardhshëm.

Këtë sot e konfirmoi ish-Kryeministri Isa Mustafa. Ai deklaroi se çështja e kryeministrit nuk mund të negociohet dhe se Hoti nuk mund të tërhiqet.

Ndërkohë, nga burime afër Vetëvendosjes merret vesh se pas mbledhjeve maratonike të kryesisë së saj gjatë natës së të mërkurës, kjo organizatë megjithatë kishte vendosur që t’i hapë udhë një koalicioni, siç thanë, ‘kundër krimit’.

Sipas tyre, LDK duhet të jetë e gatshme që të hyjë në listën e deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje dhe ta pranojë kandidimin e përbashkët të Albin Kurtit për kryeministër të ardhshëm.

Për burimet e afërta me Vetëvendosjen, këto kushte shihen të domosdoshme ‘për shkak të traditës së tradhëtimeve dhe mashtrimeve që nga periudha e VLAN-it’. Madje, në selinë e LV ky kushtëzim kuptohet si koncesion tepër i madh dhe rrezikim i skajshëm që edhe një herë të përfshihen në ‘marifetllëqe të koalicioneve’.

‘Është vendim i Lëvizjes Vetëvendosje që të garojë vetëm. I besojmë votës së popullit, e jo dredhive të zyrave partiake. Megjithatë, gjithë ky presion që po na bëhet nga zyrtarë të LDK, por edhe nga media e portale të caktuara, e ka një qëllim: që ne të fajësohemi për dështim të bashkëpunimit’, sqaroi një burim i afërt me organizatën.

‘Andaj, pa vullnet të madh, hartuam një kornizë të mundshme të marrëveshjes: koalicioni i LDK të bëhet pjesë e listës sonë të deputetëve dhe bashkërisht ta përkrahim kandidaturën e Albin Kurtit për Kryeministër, tha burimi.

‘Besuam se është ofertë korrekte dhe e pranueshme për të gjithë. Por, sot u kuptua që Isa Mustafa nuk do bashkëpunim me Lëvizjen. Ai pret që Lëvizja të jetë vetëm patericë e LDK-së’.

Sipas këtij burimi, një qasje e tillë e LDK është arrogante dhe përçmuese – sidomos, marrë parasysh faktin se ishte pikërisht LDK e cila tash e tri ditë nuk pushon se dërguari lutje e kërkesa për takime dhe bashkëpunim.

Shpërndaje në: