”Le t’na tregojnë pra me çka të ngrohemi”: Ekspertët alarmojnë për rritjen e çmimit të rrymës

”Le t’na tregojnë pra me çka të ngrohemi”: Ekspertët alarmojnë për rritjen e çmimit të rrymës

Qytetarët në ethe! Edhe prej të ftohtit të dimrit, që vështirë po përballohet për shumë ekonomi familjare me ngrohje, por edhe prej paralajmërimeve se çmimi i rrymës do të rritet në masë të konsidereueshme. Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE) dje publikoi raportin konsultativ në kuadër të shqyrtimit të jashtëzakonshëm që e kanë bërë për ndryshimin e tarifave të energjisë elektrike. Ky organ propozon ngritje të dyfishuar për krejt ata që harxhojnë 600KWh e tutje në muaj. Njohësit e çështjes e shohin serioze…

Përderisa vendi po vazhdon të përballet me krizën energjetike, së fundmi nga ZRRE erdhi  propozim që ekonomitë familjare të përballen me ngritje të çmimit të rrymës, duke përjashtuar bizneset. Në këtë propozim thuhet se ngritja do të variojë varësisht kilovatëve në orë që harxhoni në muaj.

Ekspertja për energji elektrike dhe ish-drejtoresha e KEK’ut, Pranvera Dobruna në një prononcim për Periskopin ka thënë se ZRRE duhet të ju tregojë qytetarëve që si alternativë të vetme kanë rrymën, me çfarë pajisje tjetër të ngrohen.

Sipas saj, 600KWh për shumë familje është e pamjaftueshme.

‘’ Unë mendoj që duhet të shkohet me atë se duhet të rritet 9 për qind çmimi i energjisë elektrike dhe të diskutohet edhe më mirë e a mjafton 600KWh për konsumatorët të cilët e përdorin energjinë elektrike për ngrohje, se jo të gjithë konsumatorët kanë alternativë për ngrohje. Çfarë pajisje duhet të përdorin ata që me mujt me mbetë në këto margjina 600KËh për muaj. Nuk ka me qenë i lehtë për konsumatorët shtëpiak’’, ka thënë Dobruna për Periskopin.

Tutje ajo mendon se Qeveria nuk duhet të vazhdojë që për çdo vit të ofrojë subvencione për këtë qëllim, por ai investim të shkojë në sektore të energjisë.

‘’Nuk guxojmë me leju që Qeveria gjithë kohënme subvencionu. Subvencionimi i Qeverisë, vit për vit kishte me qenë jo i lehtë. Më mirë është me investu në projektet e energjisë që rrisin sigurinë e furnizimit me energjinë se sa me investu në import. Investime që duhet të ndodhin sa më shpejt, e jo vetëm me vazhdu me subvencionu’’, theksoi ajo.

‘’Qeveria e Kosovës përgjatë këtij viti i ka zotuar  75 milionë euro për mbulim të kostos së energjisë elektrike, ndërkohë 55 milionë të tjera po lypset me u reduktu përmes bllok-tarifës në mënyrë që mos me pasë rritje as për bizneset e as për konsumatorët shtëpiakë.

‘’ Unë mendoj që është ai variant i dytë që e ka dhënë ZRRE për rritje që çmimit, që është minimumi i minimumit që duhet me u rritë për me reflektu koston. Vetëm se është me rëndësi me vlerësu se ai 600KËh a është i mjaftueshëm’’, përgjigjet Dobruna.

Lidhur me këtë shqetësim, një reflektim ka ofruar njohësi tjetër i ekonomisë, Mehmet Gjata. Sipas tij, ZRRE po propozon rritje 200 për qind të rrymës, prej asaj sa kërkon KEDS.

‘’ZRRE sot ka dalë me propozimin që rryma të shtrenjtohet 200 për qind, ose më saktësisht nga 6,75 euro/cent për kilovat-orë në 21 euro/cent për kilovat-orë. Pse ZRRE-ja mashtron konsumatorët kosovarë gjatë tërë vitit?’’, ka thënë ai.

Ndryshe, pas raportit të ZRRE’së reagime ka pasur edhe nga opozita. Ramush Haradinaj nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës  ka deklaruar se do të kërkojnë rezolutë në Parlament për këtë problematikë. Ndërsa Arben Gashi nga LDK  tha se është kosto e paaftësisë qeverisëse.

Kujtojmë që qeveritarët tanë bënin thirrje drejt popullit të ngrohen me batanije, apo edhe të ndalen dritat, si opsione të kursimit të energjisë elektrike./PERISKOPI/

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Shpërndaje në: