Ledri, princ i Pëgërës: 10 këngët më helaq të estradës tonë sivjet

Ledri, princ i Pëgërës: 10 këngët më helaq të estradës tonë sivjet

Veç problemeve me pandeminë, ishte verë jashtëzakonisht e gjatë dhe degjeneruese për estradën kosovare.

Padyshim, një prej periudhave ku është punuar me zellin më të madh për të sjellur muzikë të keqe e anti-artistike, shkruan Periskopi.

Për ta kuptuar dhe arsyetuar atë që sapo e thamë, ju ftojmë t’i hidhni një sy listës me dhjetë këngët më të këqija të verës.

10. Ledri Vula – Don Mo

Atëherë, Ledri Vula e fillon këtë top listë ku çdo artist do urrente ta gjente veten pjesë të saj. ‘Don Mo’ është thjesht e dobët. Nuk ka kurrfarë përmbajtje artistike, zero kreativitet, zero versatilitet nga këngët e tjera dhe absolutisht zero tentativa për të thënë diçka të mençur.

Vargjet si ”hej çika mia, qiti qato syza se po dokësh si Khalifa” dhe ”ti po çon fërrk si mafia”, janë definicioni i ‘cringet’. Atributi kryesor i kësaj kënge, mbetet paraqitja e Morena Tarakut në klip.

9. Melinda – Qa din ti

Xixa gjithandej, mëngë të gjata, poshtë pantollona të shqyer, të cilat janë shumë 2015 dhe aspak relevante më, dhe nën to një palë brekë ku shihen vetëm pjesa e epërme, e që është dfinitivisht tentativa më dëshpëruese që kemi parë në kohët e fundit – jo, nuk ia kalon askush sinqerisht – për t’u dukur seksi.

”Deshte me lu ti me rep, o njejtë si me lujtë me roulette,” janë vargjet pasuese. Klisheja e pavdekshme e metaforave të konsumuara. As që duam të futemi në aspektin e gjetjes së logjikës së këtyre rreshtave, pasi thjesht nuk kanë.

Nuk vlen të diskutohet mëtej për këtë projekt, të gjitha përgjigjet pse kjo këngë e gjen veten në këtë listë i keni më poshtë.

8. KIda – Dinero

‘Dinero’ është kënga që sapo është publikuar nga Kida e që është po aq meritore sa gjithë të tjerat të jetë pjesë e kësaj liste. Në fakt, na u desh të bënim një ndryshim në këtë përmbledhje, pasi u lansua ky projekt. Fatmirësisht për dikë, ‘Dinero’ tejkaloi nivelin e fatkeqësisë së këngës tjetër që fillimisht kishim planifikuar ta përfshinim në këtë listë.

Tentativat për metafora si ”ti nuk je hustler e po shitesh p9ne, nëse parja folë, unë jom llafazane,” e bëjnë këtë këngë ‘kredibile’ për t’u futur në këtë përmbledhje. Por, nuk është vetëm kjo. ‘Eyo çiko, çiko, unë e boj nxeht si Meksiko, siko,” janë klishetë që i dëgjojmë shpesh nëpër këngët e estradës sonë, të cilën dikush qartazi ka punuar me zell për ta bindur se janë ‘cool’ këto shprehje, por jo… përkundrazi, janë e kundërta e asaj që e konsiderojmë ‘cool’ – neveritëse.

Vargje tjera të tilla pasojnë përgjatë tërë këngës, të cilën mund ta dëgjoni e shikoni më poshtë.

7. Tayna – Taka

Zonja qartazi ka zero dashuri për llojin e muzikës që kultivon. Fut-kotizëm për dy minuta e 55 sekonda në videon e mëposhtme.

Rimat që përdorë nuk kanë kurrfarë kuptimi e impakti, gjë që nënvizohet nga jetëgjatësia e kësaj kënge. Sigurisht, dy javë duhet të ketë fituar vëmendje nga një grumbull tinejxherësh, për të cilët tash kjo këngë është ‘distant memory’. Prej bashkëpunimit me Dafina Zeqirin, ku mbeti absolutisht në hije të partneres, entuziazmi rreth saj ka qenë në rënie e sipër

6. S4mm – Habibi

Rol të madh në këtë përfshirje të S4mm ka luajtur përzgjedhja e konceptit mbi të cilin ka krijuar këngën. ‘Habibi’ është virusi që ka kapluar estradën kohëve të fundit. Seriozisht, njeri… ‘Habibi’ vendose t’ia lësh titullin këngës? A nuk është shprehja më e konsumuar e viteve të fundit?

Sidoqoftë, tmerri më i madh vjen kur ai fillon të përfshijë vargje nga kënga e famshme e Kevin Lyttle, ‘Turn Me On’ – më ‘cringe’ se kaq vështirë se ka mundur të krijojë diçka.

5. Dafina Zeqiri – Happy Birthday

Duhet thënë se kjo ishte huqja e vetme e Dafinës këtë verë, teksa këngët e tjera të saj kanë qenë ‘leksion’ për pjesën tjetër të estradës.

Sidoqoftë, ‘Happy Birthday’ është një katastrofë e vërtetë… e vështirë të gjejmë fjalë të tjera për ta përshkruar. Qartazi në tentativë për të krijuar një melodi të cilën do ta përdorte audienca në ahengje ditëlindjesh, Zeqiri krijoi larg këngën më të keqe në karrierën e saj. Vija melodike në kombinim me instrumentalin zhgl, i japin vulën finale kësaj kënge komike, e cila është perfekte për të ngjallur të qeshura në grup me shoqëri, pas dy gotave birrë.

Sikur kjo të mos mjaftonte, ajo që e bën edhe më keq situatën edhe ashtu të rënduar, është klipi. Vetëm analizoni sekuencat, qartazi të huazuara nga interneti një mori videosh të cilat janë munduar t’ia përshtatin këngës, sikur kanë dashur me qëllim të krijojnë veprën më anti-artistike të mundshme. Gjasat janë të mëdha që këto video të shkurta të jenë marrë nga uebsajte si ‘Shutterstock’.

Me pak fjalë, ky klip duhet të shërbejë si manual me titullin ”gjërat që asnjëherë nuk duhet t’i bëni kur krijoni një spot muzikor.”

4. Melinda, Gjiko dhe Nora – Ay Caramba

Melinda e gjen veten për herë të dytë në këtë listë dhe duket se duhet të punojë shumë për ta evituar përfshirjen e mëtutjeshme.

Për ta nënvizuar nivelin e Melindës, e nevojshme të ceket se ajo është larg nën Taynan, e cila mbetet një prej gjërave më të këqija që i ka ndodhur kulturës së hip-hopit. Të paktën, Tayna mund të mbahet në atë se i shkruan vetë vargjet që i reciton, pavarësisht përmbajtjes së dobët që kanë.

‘Ay Caramba’ është kopje e kopjës së keqe… tash lëreni për ca sekonda trurin të reflektojë. Klipi është inspiruar nga ‘Hey Mama’ e kënduar nga Nicki Minaj, Bebe Rexha e Afrojack, e këta janë inspiruar nga filmi ‘Mad Max.’

Klipi i Melindës është sikur ta porositni filmin ‘Mad Max, Fury Road’ në Alibaba, por ende më keq. Sikur pamjet e tmerrshme të klipit të mos mjaftojnë, zonja Melinda futet në skenë kështu: ”Une jom mama, sonte s’ko me flejtë tata, hajde kcejmë mashallah, SI MAMBA – AY CARAMBA,” e kjo përcillet nga një ‘beat drop’ tejet demode, që gjente përdorim të shpeshtë në dekadën e parë të shekullit XXI.

Sinqerisht, është zinxhir i vendimeve të gabuara që nga producenti, teksti, klipi dhe gjithçka tjetër çka ka të bëjë me të. Duket se askush nuk ka qenë në krye të detyrës për këtë projekt.

3. Ledri Vula – MEM

‘Pse po m’shtin mu bo dreq, ha, pse po m’shtin mu bo dreq,’ askush, kurrë në jetë nuk duhet ta fillojë një këngë në këtë mënyrë. Nëse kjo nuk mjafton për t’iu bindur sa e tmerrshme është kjo këngë, vetëm klikoni në videon e mëposhtme dhe dëgjoni zërin e tij pas kësaj pjesës që e cituam më lart.

‘Ma e mira, m… m… m… m e mira je,’ por me një zë që ta futë neverinë në palcë.

Vula besojmë fuqishëm se është ndër reperët që e di më së miri si krijohet një këngë me vlera, bazuar në atë që kemi dëgjuar nga ai në albumin ‘sex, rap and money’, andaj detyrohemi të mendojmë se atij thjesht nuk i intereson më. Krejt çka duhet të jetë duke menduar është ta mjelë audiencën edhe pak para pensionimit apo rënies drastike, e cila është e paevitueshme nëse vazhdon me këtë ritëm të materialeve. Për hir të sinqeritetit brutal, kjo këngë është thjesht bërllok. Nuk kemi asgjë personale ndaj artistëve që krijojnë vepra bërllok, por duhet ta kuptojnë se jo të gjithë mund ta pranojmë të na trajtojnë 1.8 milion kosovarë si budallenj apo njerëz që s’kanë kurrfarë intuite për ta vlerësuar çka është mirë e çka është keq. Këngët e tilla janë fyerje intelegjence, sikur ne jemi kope mjelëse, e cila ushqehet me bërllok dhe nuk sheh e as nuk di më mirë.

VËMENDJE:” Kjo është e vetmja që nuk është fare këngë e kësaj vere, por thjesht nuk mund ta linim pa e përfshirë për shkak të nivelit të degradimit artistik, marrë parasysh edhe trendin e këngëve të tilla që kanë pasuar tutje.

2. Kida, Ledri Vula dhe Butrint Imeri – Dale

Veç të nxehtit afrikan, njeriu u desh të përballej edhe me probleme të tjera këtë verë. Një prej problemeve më irrituese ekstra të cilat nuk ua patëm borgj estradës sonë, ishin këngët e tilla si ‘Dale’ nga Butrint Imeri, Kida dhe Ledri Vula.

Është thjesht e sikletshme ta shohim e dëgjojmë këtë këngë. Shtrëmbërime si ‘dale’ në vend të fjalës ‘djalë’, ose ashtu supozojmë, ndodhin përgjatë tre minutave të cilat janë absolutisht të papranueshme.

Asnjë artist me dinjitet nuk do të krijonte kurrë në jetë diçka të tillë. Kënga e re e Butrint Imerit, Kidës dhe Ledri Vulës zgjatë 3 minuta e 6 sekonda, dhe epidemia ‘habibi’ shfaqet pas vetëm 22 sekonda.

Në temperaturë 38 gradëshe, apo ashtu diçka, njeriu nuk mund të marrë as frymë pa ndonjë siklet të brendshëm që manifestohet me një nervozë të pashpjegueshme. Tash, sikur kjo të mos mjaftonte, përdorimi i fjalës ‘habibi’ e dërgon në një nivel tjetër gjendjen e irritimit dhe ‘cringit’, i cili thjesht është bërë pjesë e pandashme e estradës sonë.

Për ta nënvizuar nivelin e sikletit neveritës, Butrint Imeri thotë: ‘Unë Coca-Cola, e ti Pepsi’. Oh Zot i madh… nuk ka para në botë që do të më bindte të thoja diçka të tillë në një këngë. Është treshe perfekte për vepra anti-artistike. Kida e gjen veten për herë të dytë në këtë listë, teksa këtu nuk i shmang mimikat e çuditshme e stresuese, derisa Ledri Vula për herë të tretë përfshihet dhe me plot të drejtë e fiton epitetin e ‘mbretit’ të muzikës së keqe.

1. Geasy, Majk dhe Ermal Fejzullahu – Para, para

Përkundër nivelit katastrofal të këngëve të lartpërmendura, asnjë nuk tejkalon ‘horrorin’ e asaj që ditën të bëjnë në fillim të verës Geasy, Majk dhe Ermal Fejzullahu. Thjesht, definicioni i bërllokut, dhe atë e themi me gojën plot.

Nuk e ekzagjërojmë kur themi ‘bërllok’. Nuk mund t’i japim tjetër epitet atyre 2 minutave e 48 sekondave të cilat na shkaktuan siklet e kruarje neveritëse.

‘Se krejt i baj une për dashni,’ janë fjalët me të cilat fillohet kënga, pas një introje të shkurtër nga Majk, i cili thotë ‘sytë dojnë me pa këtë dashni’ – sikur ne duhet të pretendojmë se kanë sens këto fjalë, të cilat ai ka pasur kohë sa të dojë t’i përmirësojë e t’i mendojë, e pastaj të vijë me dicka më kreative se thjesht të mundohet të na fyejë intelegjencën.

Kulminacioni, edhe pse janë vetëm 20 sekondat e parë të këngës, arrihet kur i nderuari Ermal Fejzullahu thotë ‘ajo po don parra, ajo po don parra’, në tentativë dëshpëruese për ta nxitur audiencën që të krijojë simpati për këngën, e cila përcillet nga disa rrahje tupanësh dhe shtrëmbërime të zërit që thjesht ju bën më shumë të preferoni ta godisni murin me kokë se ta dëgjoni.

Deri tash folëm vetëm për 20 sekondat e parë të këngës, e cila pastaj përcillet nga një pjesë e Majk i cili shprehet: ”Ajo o ka don Gucci, Loui e Versacce, jetën e shtrejtë thirre Bugatti” – klisheja e pavdekshme në përmendjen e disa brendeve të njohura të veshmbathjeve, sikur ajo duhet të na bëjë përshtypje, e pasuar nga një tentativë e tmerrshme për metaforë si ‘jetën e shtrejtë, thirre Bugatti’.

Geasy poashtu e vazhdon tmerrin me San Torini e Shën Valentini, edhe pse nuk arrin ta barazojë horrorin e këtyre dy të mëhershmëve. /Periskopi.com/

Shpërndaje në: