Lekaj flet për murin: Qeveria, kukëll që po mashtron qytetarët
Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Pal Lekaj, në një prononcim për Periskopin, e ka quajtur Qeverinë e Kosovës, “kukëll”, e cila nuk po arrinë të merr vendime për të mirën e vendit, por merr vendime atëherë kur shkelet sovraniteti i vendit.
“Krerët e shtetit kanë deklaruar dhjetëra herë se muri është ndërtuar ilegalisht dhe duhet të rrënohet. Ata kanë pasur afat deri sot (31 janar), dhe vetë fakti që nuk kanë ndërmarrë asgjë, nënkupton se nuk po implementohet rezoluta e Kuvendit. Nëse muri nuk rrënohet, atëherë nuk di se si do ta quajmë këtë Qeveri, apo çfarë interesi mbron ajo. A shërben ajo për copëtimin e Kosovës, për të krijuar asosciacione, apo për të ndërtuar mure ndarëse?”, ka deklaruar Lekaj.
Më tej, Lekaj tha se është absurde si duhet të negociohet për diçka, për të cilën është marrë vendim nga Kuvendi, që njëkohësisht është organi më i lartë.
“Edhe bashkësia ndërkombëtare e ka thënë se ky mur është ndarës, nuk e di pse duhet të negociohet, kurse është ilegal”, shtoi Lekaj.
Shefi i Grupit të AAK-së, ka thënë se nëse pavarësisht deklaratave të vazhdueshme, nuk merren veprime konkrete, atëherë kjo është mashtrim i drejtpërdrejtë i qytetarëve. /Periskopi/



