Lekaj: Kosova e ka Presidentin, ky post nuk do të duhej te ishte temë e LDK-së dhe VV-së

Lekaj: Kosova e ka Presidentin, ky post nuk do të duhej te ishte temë e LDK-së dhe VV-së

Kosova nuk është pa president dhe ky post nuk do të duhej të ishte temë e diskutimit në mes të dy partive që synojnë krijimin e koalicionit qeverisës.

LDK e LVV po vënë interesin personal para atij shtetëror dhe për këtë po pësojnë vetëm qytetarët e vendit. Kështu ka thënë në një intervistë të shkurtër për Periskopin nënkryetari I AAK-së njëherësh ministër në detyrë i Infrastrukturës Pal Lekaj.

Thotë se AAK-ja do të jetë një opozitë e zëshme në rast të formimit të Qeverisë, ndërsa në rast të dështimit të saj dhe shkuarjes në zgjedhje, nënkryetari i AAK-së thotë se partia e tij është mëse e gatshme për një tjetër proces zgjedhor.

Ministri në detyrë I Infrastrukturës ka folur edhe për autostradën e Dukagjinit.

Për më shumë lexoni intervistën e plotë:

Periskopi: Zotëri Lekaj, Kosova momentalisht është në një ngërç politik, cila nga partitë fituese të zgjedhjeve të 6 tetorit po e shkakton këtë?

Pal Lekaj: Të dyja partitë bartin në vete fajin për situatën në të cilën gjendet Kosova. Pazaret për poste nuk po lejojnë krijimin e institucioneve, një tregues ky se LDK e VV po vendosin interesin personal ndaj atij nacional.

Periskopi:  A maneodni se është koha e duhur që LVV-LDK të diskutojnë për  postin e presidentit?

Pal Lekaj: Tema e presidentit do të duhej të ishte problemi më i vogël sepse vendi nuk është pa president. E domosdoshme është krijimi i qeverisë dhe përballja me procese të rëndësishme që po e presin Kosovën.

Periskopi: Sipas disa analistëve ekziston mundësia që vendi të shkojë sërish në zgjedhje, a i konvenon kjo AAK-së?

Pal Lekaj: AAK është gjithnjë e gatshme për të kontribuoj në të mirë të vendit.

Periskopi: VV-LDK janë deklaruar kundër ndërtimit  të  autostradës së Dukagjinit, a mund të kthehet mbrapshtë  ky vendim?

Pal Lekaj: Autostrada e Dukagjinit është realitet tashmë dhe kushdo që vepron kundër saj, vepron kundër vullnetit të popullit.

Periskopi: Cili do të jetë roli i AKK-së në opozitë?

Pal Lekaj: Ashtu siç ishim qeveri e fuqishme, do të jemi edhe opozitë e tillë, e gatshme për të ndihmuar vendin të shkojë përpara dhe për ta mbrojtur atë nga çdo e keqe.

Intervistoi: B.H

Shpërndaje në: