Lëshohet urdhërarrest ndaj katër ish-zyrtarëve serbë të Policisë së Kosovës

Periskopi.com Lajme

Gjykata Themelore në Prishtinë ka lëshuar urdhërarrest ndaj katër ish-zyrtarëve serbë të Policisë së Kosovës: Rade Radosavljeviç, Dragan Radojeviç, Milan Jovanoviç dhe Dejan Vukashinoviç, pasi dyshohen për kontrabandë me mallra.

Më 2 gusht, Gjykata lëshoi urdhërarrest ndaj katër ish-zyrtarëve serbë të Policisë së Kosovës, raporton Insajderi.

“Ekziston dyshimi i bazuar se nga viti 2011 dhe në vazhdim, në atë mënyrë që të pandehurit Rade Radosavljeviç, Dragan Radojeviç, Milan Jovanoviç, dhe të tjerë, kanë keqpërdorur pozitën e tyre zyrtare duke kontrabanduar mallra të ndryshme, ndëpërmjet rrugëve ilegale nga Republika e Serbisë në Republikën e Kosovës dhe anasjelltas, për të cilin pranë Prokurorisë janë duke u zhvillu hetimet në drejtim të disa veprave penale”, thuhet në vendimin e Gjykatës.

Policia e Kosovës kishte zhvilluar aksion kundër kontrabandës me mallra në veri të vendit më 28 maj të këtij viti, por nuk kishte arritur t’i arrestonte katër zyrtarët e Policisë së Kosovës.

Në këtë aksion, një pjesëtar i Policisë ishte plagosur lehtë me armë zjarri.

Që nga fillimi i këtij aksioni, në pjesën veriore ishin aktivizuar alarmet, të cilët njëjtë aktivizohen sa herë që organet e rendit ndërmarrin aksione në përmbushjen e obligimeve ligjore.

Shpërndaje në: