Letonia zyrtarisht e përcakton Rusinë si “shtet sponsor i terrorizmit”

Letonia zyrtarisht e përcakton Rusinë si “shtet sponsor i terrorizmit”

Parlamenti i Letonisë e përcaktoi zyrtarisht Rusinë si “shtet sponsor i terrorizmit”.

Parlamenti letonez, “Saeima”, u bëri thirrje vendeve të Bashkimit Evropian që të kufizojnë hyrjen dhe lëshimin e vizave turistike për qytetarët rusë dhe bjellorusë, bëri të ditur transmetuesi publik letonez LSM, shkruan Anadolu.

“Saeima thekson se Rusia përdor vuajtjen dhe frikësimin si një instrument në përpjekjet e saj për të demoralizuar popullin ukrainas dhe forcat e armatosura”, thuhet në njoftimin e parlamentit letonez.

“Saeima e njeh dhunën e Rusisë kundër civilëve, e cila po vazhdon për qëllime politike, si terrorizëm, dhe Rusinë si një vend që mbështet terrorizmin, dhe u bën thirrje vendeve të tjera me mendim të ngjashëm të shprehin një mendim të tillë. Parlamentarët dënojnë kategorikisht agresionin ushtarak dhe pushtimin në shkallë të gjerë të Ukrainës me mbështetjen dhe angazhimin e regjimit bjellorus”, thuhet gjithashtu në deklaratë.

Parlamenti gjithashtu i bëri thirrje “Komunitetit Euro-Atlantik dhe partnerëve të tij që urgjentisht të vendosin dhe të shtojnë sanksionet gjithëpërfshirëse kundër Rusisë, duke përfshirë thirrjen drejtuar vendeve anëtare të BE-së për pezullim të menjëhershëm të turizmit dhe kufizimin e vizave të hyrjes për qytetarët e Federatës Ruse dhe Bjellorusisë”.

Sipas vlerësimeve të OKB-së, të paktën 5.401 civilë janë vrarë dhe 7.466 janë plagosur që nga fillimi i luftës Rusi-Ukrainë më 24 shkurt. Numri i vërtetë besohet të jetë shumë më i lartë.

Shpërndaje në: