Liburn Aliu niset ta vizitojë Lulzim Hetemin në komunë, KFOR-i e kthen prapa

Liburn Aliu niset ta vizitojë Lulzim Hetemin në komunë, KFOR-i e kthen prapa

Ministri i Infrastrukturës, Liburn Aliu është nisur sot për në Leposaviq për ta takuar kryetarin e Komunës, Lulzim Hetemin, por KFOR-i nuk e ka lejuar dhe e ka kthyer mbrapa.

Për vizitën e Liburn Aliut në komunën e Leposaviqit, Njësitë Speciale të Policisë së Kosovës kishin nisur një plan operativ, por KFOR-i si masë parandaluese të reagimit të protestuesve e kishte ndaluar Aliun.

Ministrit të Kurtit iu desh të kthehet mbrapa, pasi tashmë, komunat veriore të Kosovës janë në përkujdesjen e KFOR-it sa i përket çështjes së sigurisë dhe policia e Kosovës ka fare pak autoritet atje.

Situata në veri të Kosovës po vazhdon të jetë e tensionuar për gati 2 javë që prej kur kryeministri i Kosovës, Albin Kurti vendosi që me asistencë të Njësive Speciale të Policisë së Kosovës t’i dërgojë kryetarët e zgjedhur në objektet komunale.

Kjo u përcoll me prostesta të dhunshme të serbëve lokale, ndërsa autoritetet ndërkombëtare kërkuan që kryetarët të ushtrojnë detyrën e tyre nga objekte të tjera alternative dhe jo ato kryesore komunale.

Këshillat e ndërkombëtarëve nuk u dëgjuan. Koordinimi për t’i dërguar kryetarët në veri mungoi. Si pasojë e kësaj, qeveria Kurti u përball me kritika të mëdha nga ndërkombëtarët gjë që pasoi edhe me sanksione.

Kosova u përjashtua nga trajnimet ushtarake “Defender Europe 23”, ndërsa është raportuar se edhe Bashkimi Evropian edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë duke konsideruar pasoja të tjera për Kosovën si pasojë e këtyre veprimeve dhe e mosdëgjueshmërisë.

Në anën tjetër, sot emisari i Bashkimit Evropian për dialogun Miroslav Lajçak dhe i dërguari i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar kanë raportuar përpara eprorëve të tyre lidhur me vizitën e tyre në Kosovë dhe në Serbi.

Kurtit i ishte vendosur një afat për të dhënë përgjigjen e tij lidhur me depërshkallëzimin e situatës në veri të Kosovës dhe për mbajtjen e zgjedhjeve të reja atje, por një përgjigje e qartë e zyrtare nga Kurti ishte e munguar.

Në mes të këtyre tensioneve në veri të Kosovës, KFOR-i ka marrë tashmë kontrollin mbi veriun e vendit duke ia mohuar vizitën një ministri të qeverisë së Kosovës në atë pjesë të vendit. Mbetet të shihet se cilat do të jenë hapat e radhës të bashkësisë ndërkombëtare karshi situatës së krijuar së fundmi në “komunat problematike” të Kosovës. 

Shpërndaje në: