Liderët shqiptarë merren me ëndrra e dekore

Liderët shqiptarë merren me ëndrra e dekore

Kryeministri i Republikës së Shqipërisë, Edi Rama, në foltoren e Kuvendit të Kosovës i dha vetes të drejtën të merrej me ëndrra dhe imagjinatë. Tha që, pas dhjetë vitesh, Kosova e Shqipëria mund të kishin një president të përbashkët. Do të ishte në rregull sikur t’i qëndronte prapa idesë së tij, sado e gabuar apo e drejtë qoftë, por ai u distancua prej saj në momentin e parë që reagimi publik u bë i padurueshëm.

Ndërkohë, Presidenti i Republikës së Kosovës Hashim Thaçi, në një reagim emocional për-gjynah në Facebook gënjeu në lidhje me refuzimet e dekoratave të tij. Ai tha që ato kishin qenë vetëm propozime, dhe jo dekorata. Dekoratën e tij, për nder të dhjetë vjetorit të Republikës së Kosovës, e kishin refuzuar dhe po e refuzojnë një varg personalitetesh të rëndësishme – duke e lënduar kësisoj autoritetin e tij.

Në të dyja rastet, sado të ndryshme në dukje, kemi të bëjmë me një shprehje të pafuqisë ose dobësisë së liderëve tanë. Kryeministri Rama, dështoi që ta bënte veten tërheqës në sytë e liderëve evropjanë. Dështoi të faktorizohej. Madje, edhe mbathja e atleteve nuk e zhvendosi vëmendjen e këtyre liderëve nga problemet reale politike me të cilat përballet Shqipëria te paraqitja e tij. Ish-ministri i tij po përballet me akuzën e rëndë të përfshirjes me narkotrafikun. Kjo e implikon edhe vetë Ramën. Fuqia dhe popullariteti i tij në Shqipëri mund të jetë i madh, edhe më tej. Por, deklaratat dhe tipi i paraqitjes së tij, nuk hahen nga liderët evropjanë.

Vetë Rama mund të përfundojë i izoluar ngjashëm si Thaçi. Nëse, një gjë e tillë tashmë nuk ka filluar. Shenjat e një vetëdijeje mbi izolimin që e pret evidentohen edhe nga kalimi i tij në imagjinatë e iracionalitet. Shenjë e qartë e dobësisë. Kur nuk mund të bësh asgjë për të realizuar një projekt, atëherë hidhesh në imagjinatë. Kryeministri shqiptar është njohur dhe rritur si personalitet në Shqipëri përmes shakave që bënte. Edhe shakatë, por edhe ëndrrat kanë një lidhje të fortë me të pavetëdijshmen – thoshte psikoanalisti i njohur Sigmund Freud. Ndërkohë, një tjetër mendimtar i asaj kohe, shpjegonte se gjatë ëndrrimit njeriu rikthehej në gjendjen e tij primitive. Loja e Ramës me opinionin publik mund të ketë qenë e qëllimshme, por sidoqoftë ai ka operuar me primitivitetin.

Rama ishte treguar i papërgjegjshëm duke e mbështetur haptas Hillary Clintonin, mbase i ndikuar nga sondazhet që e bënin atë fituese të sigurtë. Ishte një qëndrim i guximshëm, që mund ta faktorizonte, por që iu kthye bumerang kur dolën rezultatet dhe ShBA-ja e zgjodhi për president, kandidatin republikan Donald Trump.

Krerët e institucioneve të Kosovës dhe Shqipërisë janë të lënduar dhe të dobët. Duke qenë ngulmues në kompetencën dhe egon e tyre, ata dështuan të bënin diçka thelbësisht të ndryshme në vendet e tyre në mënyrë që të rrisnin zhvillimin ekonomik, të krijonin vende pune, dhe të ulnin pabarazitë sociale. E gjithë skema e prodhimit në të dyja vendet nuk e ka si element kyq depërtimi meritën ose kompetencën, por mënyrat e reprezentimit dhe klientelizmin.

Thaçi nuk ia doli mbanë të bëhej një president unifikues – një pozicion tepër i rëndësishëm aktualisht për politikën tonë. Por ndërkohë, as Rama nuk po arrin ta identifikojë veten si liderin të cilit i referohen ose bashkëpunojnë më afërsisht liderët e vendeve të zhvilluara evropjane. Nuk mund të luash të njëjtën lojë, përmes primitivitetit, si me shqiptarët ashtu edhe me liderët evropjanë.

Asnjëri prej shteteve tona nuk ka nevojë për populizëm dhe liderë të etur për vëmendje. Por, kjo është ajo që e kemi. Dhe veprimet qesharake të tyre, e ridëshmojnë pamundësinë e tyre që të jenë influencues në ndryshime thelbësore. Në mungesë të ideve dhe fuqisë për implementimin e tyre, gjithçka që bëjnë është modelimi i tipeve të reprezentimit.

Edi Rama merret përditë me komentet në Facebook-un e tij e me raste edhe me ëndrra dhe me shaka, Ramush Haradinaj mundohet që t’i japë qeverisjes njëfarë dekori më popullor duke ftuar edhe familjarë në zyren e tij, ndërkohë që Thaçi merret me dekorata.

Shpërndaje në: