Punësimi i Arben Vitisë në laboratorin Olive, është antiligjor

Punësimi i Arben Vitisë në laboratorin Olive, është antiligjor

Ish-ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, para pak ditësh ka nisur punën në laboratorin privat “Olive”. Ai është emëruar menaxher i këtij laboratori, shkruan Periskopi.

Dyshimet e para janë se punësimi i Vitisë si menaxher në atë institucion privat, bie në kundërshtim me ligjin.

Sipas “Ligjit për parandalimin e konfliktit të interesit”, zyrtari i lartë publik e ka të ndaluar të punësohet për një periudhë deri në dy vjet pas përfundimit të funksionit publik, në pozitë udhëheqëse ose menaxhuese, në institucionet publike dhe private dhe institucioneve vartëse të tyre të cilat kanë marrëdhënie biznesi me institucionin ku ka ushtruar funksionin publik, nëse detyrat e tij gjatë periudhës dy-vjeçare para përfundimit të ushtrimit të funksionit publik kanë qenë drejtpërdrejtë të lidhura me mbikëqyrjen, kontrollin apo sanksionimin e aktivitetit të tyre.

Të martën me 24 Maj, Periskopi ka dërguar pyetje në Agjencinë Kundër Korrupsionit -AKK, lidhur më atë se nëse një ministër, i cili e ka lënë punën para pak muajve në ministri, a mund të punësohet në një firmë privatë -industri e njëjte ajo me punën të cilën e ka kryer deri para pak muajve në ministri…. AKK-ja nuk ka kthyer përgjigje deri më tani.

Kujtojmë që laboratori “Olive” është licencuar për teste PCR nga Ministria e Shëndetësisë në kohën sa ministër ka qenë Arbën Vitia.

Kjo çështje është shtruar edhe sot në Kuvendin e Kosovës nga deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu i cili ka kërkuar të di, nëse punësimi i ish ministrit përbën konflikt të interesit.

Ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi doli në foltore dhe i doli në mbrojte ish ministrit të Albin Kurtit.

“Është e qartë se kjo pyetje është jashtë konformitetit tim me u përgjigj. Nëse është shkelë Ligji, organet përkatëse do të  merren me të. Por, çdo qytetar ka të drejtë të punojë aty ku ka dëshirë, qoftë në sektorin privat, qoftë në publik’’, tha Latifi.

Çka thotë ligji

LIGJI Nr. 06/L -011 për parandalimin e konfliktit të interesit në ushtrimin e funksionit publik, papitulli IV flet për kufizimet pas ushtrimit të detyrës publike.

Neni 18 Kufizimet e zyrtarit të lartë pas përfundimit të ushtrimit të detyrës publike

1.1Zyrtari i lartë nuk ka të drejtë: 1.1. të punësohet ose të emërohet, për një periudhë deri në dy (2) vjet pas përfundimit të funksionit publik, në pozitë udhëheqëse ose menaxhuese, apo të përfshihet në kontrollin ose auditimin e institucioneve publike dhe private dhe institucioneve vartëse të tyre të cilat kanë marrëdhënie biznesi me institucionin ku ka ushtruar funksionin publik, nëse detyrat e tij gjatë periudhës dy-vjeçare para përfundimit të ushtrimit të funksionit publik kanë qenë drejtpërdrejtë të lidhura me mbikëqyrjen, kontrollin apo sanksionimin e aktivitetit të tyre;

1.2. të përfshihet në marrëdhënie kontraktore, drejtpërdrejt ose nëpërmjet ndonjë personi të afërm ose të besuar, me institucionin ku ka ushtruar funksionin publik për një periudhë deri në dy (2) vjet pas përfundimit të funksionit publik;

1.3. të përfaqësojë, ndihmojë ose këshillojë ndonjë person fizik ose juridik, drejtpërdrejt ose nëpërmjet ndonjë personi të afërm ose të besuar, në një konflikt ose marrëdhënie biznesi me institucionin, për detyrën që ai ka kryer ose që është në vazhdimësi të saj për një periudhë deri në dy (2) vjet pas përfundimit të funksionit publik; dhe

1.4. të përdorë informacionin e privilegjuar ose konfidencial të siguruar gjatë ushtrimit të funksionit publik për qëllime e punësime të tjera në të ardhmen për interesin privat të vet ose të një personi të afërm apo të besuar për një periudhë deri në dy (2) vjet pas përfundimit të funksionit publik.

Institucioni në të cilën zyrtari i lartë ka ushtruar funksion publik nuk mund të bëjë biznes deri në një vit nga mbarimi i funksionit publik me subjektin në të cilin ish-zyrtari, personi i afërm me të apo personi i besuar kanë një pjesëmarrje prej jo më pak se pesë përqind (5%) në të drejtat e themeluesve, menaxhimin apo kapitalin, si me pjesëmarrje të drejtpërdrejtë ose nëpërmjet pjesëmarrjes së personave të tjerë juridikë.

“Olive” është një nga laboratorët më të mëdhenj në Kosovë që ka lulëzuar gjatë periudhës së pandemisë COVID-19, kur pjesën më të madhe ministër i Shëndetësisë ka qenë Arben Vitia, përkatësisht gjatë mandatit të Qeverisë “Kurti 1” dhe “Kurti 2”. Vitia kishte dhënë dorëheqje nga pozita e ministrit të Shëndetësisë në vjeshtën e kaluar kur u fut në garë si kandidat i VV-së për kryetar të Prishtinës. /Periskopi/

Shpërndaje në: