Linhart e Blinken: Nevojitet prani më e madhe perëndimore në Ballkanin Perëndimor

Periskopi.com Lajme

Ministri i Jashtëm austriak Michael Linhart dhe ministri i Jashtëm amerikan Antony Blinken besojnë se nevojitet më shumë dhe jo më pak prani perëndimore në vendet e Ballkanit Perëndimor.

Kështu deklaroi për agjencie austriake të lajmeve APA, ministri Linhart pas një bisede telefonike me kolegun e tij amerikan.

Ai theksoi se qasja e Ballkanit Perëndimor ndaj BE-së ishte temë e bisedës, në të cilën Blinken përshëndeti angazhimin më të fortë të Austrisë në rajon.

“Është në interesin tonë të përbashkët që BE-ja dhe Shtetet e Bashkuara të jenë të pranishme në rajon dhe të veprojnë në mënyrë të koordinuar”, tha Linhart.

Blinken falënderoi gjithashtu Austrinë për organizimin e konferencës së fundit për të ardhmen e Bjellorusisë dhe dy ministrat vlerësuan se nuk duhet të dorëzohemi para shantazhit të regjimit të Alexander Lukashenkos.

Blinken falënderoi gjithashtu Austrinë për pritjen e bisedimeve mbi programin bërthamor të Iranit.

Linhart theksoi se në këto bisedime, pas një pauze disa mujore, duhet të hyjmë me pritshmëri realiste. Përparime të shpejta, thotë ai, nuk mund të priten.

“Është e qartë, megjithatë, se zhvillimi i mëtejshëm i programit bërthamor të Iranit, në kundërshtim me marrëveshjen, është një shkak për shqetësim, prandaj një marrëveshje duhet të arrihet sa më shpejt të jetë e mundur. Nëse kjo nuk funksionon, atëherë realiteti mund të kërcënojë marrëveshjen,” paralajmëroi Linhart.