Lista Serbe: E ruajtëm trafostacionin në Valaç, s’do të paguajmë retroaktivisht për rrymën e shpenzuar

Lista Serbe: E ruajtëm trafostacionin në Valaç, s’do të paguajmë retroaktivisht për rrymën e shpenzuar

Lista Serbe e ka mirëpritur Marrëveshjen e arritur të martën në Bruksel mes Kosovës e Serbisë për faturimin e energjisë në veri.

Nëpërmjet një reagimi në Facebook, Lista shkruan se Marrëveshja e arritur është dëshmi se “dialogu është mënyra e vetme për zgjidhjen e çështjeve të hapura”.

“Kjo (Marrëveshja v.j.) parandaloi mundësinë e pushtimit brutal të (trafostacionit v.j.) në Valaç, sistemeve tona energjetike dhe rrezikimin e furnizimit me energji. Populli serb asnjëherë nuk ka ikur nga përgjegjësitë e tij, por ne kemi kërkuar që kjo të bëhet në përputhje me marrëveshjen, përkatësisht të bëhet nga Elektrosever, që është simotër e EPS-it (Elektro Provreda Srbije)”, thuhet në njoftimin.

Partia serbe tha se marrëveshja e sotme e pamundëson pagesën retroaktive, ndërsa Elektroseveri sipas saj, do të ketë sistem energjetik në veri me garanci të BE-së.

Serbët tash e 23 vjet nuk paguajnë për shpenzimet e bëra, e ato janë mbuluar nga Qeveria e Kosovës dhe taksapaguesve të saj.

“Theksojmë se do të punësohen të gjithë punëtorët e Elektrokosmetit në veri, si dhe planifikohet rekrutimi i punëtorëve të rinj në kompaninë e re, e me këtë edhe mbijetesa dhe qëndrimi në këto zona. Veçanërisht duhet theksuar se marrëveshja e sotme ka forcuar më drejtpërdrejt marrëveshjet e mëparshme nga viti 2013 dhe 2015, dhe në të njëjtën kohë ka hapur rrugën për biseda për Bashkësinë e Komunave Serbe”, thuhet tutje.

Shpërndaje në: