Llumi borxhez: OJQ-të në Kosovë

Llumi borxhez: OJQ-të në Kosovë

Unë jam shqiptar i Kosovës, në mes të të 20-ave, i rritur jashtë në një vend perëndimor (Norvegji). Po shkruaj pas dy vitesh frustrimi të mbledhur nga puna në shumë organizata joprofitabile në Prishtinë.

Mund të keni punuar në sektorin joprofitabil në Kosovë nëse:

  • Kushtet e kontratës suaj respekton vetëm rrallë e hiç – detyrat dhe orët iu shtohen dhe zbriten bazuar në teket e menaxherit tuaj, që zakonisht është edhe drejtor ekzekutiv.
  • Drejtori juaj ekzekutiv jeton në një apartment të shtrenjtë, shkon nëpër evente të ndryshme jashtë dhe merr ftesa për të darkuar në ambasada të huaja – puna juaj është të bëni kritikë, por jo, kurrë s’do t’iu ipet mundësia që të avancoheni në karrierë.
  • Drejtori juaj ekzekutiv ka pjekurinë emocionale të një 14 vjeçari. Ata kurrë s’do të marrin përgjegjësi për gabimet e tyre, gafat apo budallallëkun. Në fakt, nëse iu qaseni me kritika konstruktive, mund t’iu qesin nga puna.
  • Shumica e elitës borxheze të OJQ-ve në Kosovë janë njerëz që ne në perëndim do t’i quanim të gjysmë-edukuar, apo në disa raste edhe gjysmë-analfabetë. Këta njerëz bashkë me fëmijët e tyre kanë okupuar organizatat joqeveritare, fondacionet, agjencitë e Kombeve të Bashkuara dhe organizatat e tjera ndërkombëtare humanitare. Injoranca e tyre do të ishte komike nëse nuk do t’ua afektonte në mënyrë direkte punën që bëni.
  • Nëse punoni shumë dhe përnjëmend bëni përpjekje të sinqerta – kjo nuk do t’iu vlerësohet. Nuk do të falenderoheni e vlerësoheni. Menaxhmenti do ta trajtojë përpjekjen tuaj si diçka të dhënë, dhe atëherë do të dyshoni në aftësitë dhe vlerën tuaj. Në fakt, ata të përqeshin që përkushtohesh aq shumë.
  • Kurrë nuk do të paguhesh për punën shtesë dhe kurrë s’mund të marrësh kohë shtesë për të punuar në vikend, në mbrëmje apo gjatë pushimeve. Por, shefi juaj mund të dalë sa herë që t’i teket.
  • Bordi do të mbushet me miqë dhe me drejtorë ekzekutivë të të tjera organizatave joprofitabile (apo nganjëherë me ish drejtorë të së njëjtës organizatë!). Në fakt ata janë i njëjti llum borxhet që prodhoi drejtorin tuaj ekzekutiv dhe të gjithë drejtorët e tjerë ekzekuzivë në këtë vend të vogël. Ata nuk do t’i mbrojnë interesat tuaja si punëtor.
  • Do të përjetoni situata që janë joetike, si psh të nënshkruani një kontratë për një projekt të donatorëve me të cilën s’keni asgjë të bëni apo të kontraktoni një provajder shërbimesh pa pasur paratë që t’i paguani. Pritet që ju të heshtni.
  • Kolegut tuaj ‘bythëlëpirës’ do t’ia dalin shumë mirë, sepse nuk përbëjnë kërcënim për status quo-në. Ata mund të vjedhin prej organizatës, mund të gënjejnë, të ngacmojnë koleget tjera, të vijnë vonë në punë – dhe s’ka problem për askënd.
  • Menaxherët do të paraqiten si humanistë e të mirë para donatorëve – në fakt, te çdo i huaj. Shfrytëzimi që bëjnë dhe mungesa e mirënjohjes janë të rezervuar për ju dhe punonjësit tjerë, të cilët trajtohen si pengje të pafuqishme.
  • Nëse nuk jeni borxhez apo i klasës së lartë, nëse nuk keni jetuar apo keni studiuar jashtë vendit, nëse nuk keni respektuar prindërit – do të trajtoheni si rob. Të drejtat si punëtor nuk kanë rëndësi, ndjenjat nuk kanë rëndësi, dhe kolegët tuaj do t’iu qeshin prapa shpinës. Ironia është se shumica e kolegëve janë veç një gjeneratë larg nga analfabetizmi dhe jeta rurale, edhe vetë.

Nëse përgjigjjet tuaja për këto pyetje janë “Po”, atëherë urime, keni punuar (apo punoni ende) në OJQ-të e Kosovës!

Të dashur donatorë: MOS IU JEPNI PARA KËTYRE NJERËZVE. Me ‘këta’ njerëz nënkuptoj çdo drejtor ekzekutiv të OJQ-ve që marrin mbi 20 mijë euro në vit. Ata janë klasë parazite e e papërdorshme elitare që nuk janë të aftë për empati, dhe nuk kanë pikë ambicjeje për të arritur diçka. Duke iu dhënë këtyre budallenjëve para, krejt çka po bëni është të ushqeni kastën e shëmtuar të kuazi-të-edukuarve, të analistëve, menaxherëve të paaftë të këqyre programeve. Njerëzit e varfër fshatarë të Kosovës nuk janë asgjë më shumë se nën-njerëz në sytë e tyre. Iu lutem t’i shpërfillni fjalët që iu thonë për të drejtat e njeriut. Ata e paguajnë veten me tepri, aq sa do të mund t’i punësonin dy-tre të rinj të kualifikuar. Projektet e tyre nuk bëjnë asgjë kundër korrupsionit apo varfërisë së Kosovë, sepse janë bashkëfajtorë në korrupsion dhe varfëri, të cilën supozohet ta luftojnë.

Nuk më besoni? Mos flisni me drejtorët ekzekutivë apo menaxhmentin. Flisni me anëtarët e stafit, me asistentët administrativ, flisni me pastruesen sepse s’do të merrni asgjë nga ata drejtorë. Po ashtu, a keni dëgjuar për titullin “drejtor ekzekutiv” të përdoret ndokund me të njëjtën frekuencë si në Kosovë? Këta janë njerëz me ego tepër fragjile, me zero pjekuri emocionale, dhe me paaftësi të plotë. Ata e ngucin stafin me agresion të hapur apo edhe me agresionin pasiv të të dobëtit.

Unë erdha në Kosovë sepse e dua këtë vend. Por nuk mund të vazhdoj punën në një vend ku parimet dhe dinjiteti im aq shpesh më shkilen. Këto OJQ udhëhiqen nga teket dhe egot e njerëzve që duan status shoqëror, para dhe lustrën e aktivizmit qytetar. Është i rremë. Kjo botë elitare është e mbushur nga shfrytëzimi dhe lufta e vogël klasore ndërsa rrethohet nga një det me varfëri dhe dëshpërim për të cilin s’iu han palla. Ndaleni këtë gjë.

Një kosovar i gërditur.

Përkthyer nga Periskopi. E shkruar më 7 shkurt 2017.

Shpërndaje në: