Logjika nuk mund ta definojë si mund të jetë aq e keqe kënga e Feros për UÇK-në

Logjika nuk mund ta definojë si mund të jetë aq e keqe kënga e Feros për UÇK-në

Mund të jetë më e keqja që kemi dëgjuar për një kohë të gjatë, apo nëse jeni në një moshë më të re, thjesht mundet shumë lehtë të mos keni dëgjuar kurrë këngë më të tmerrshme.

Sinqerisht, është në një nivel të cilin sigurisht që sot edhe vet artisti duhet të jetë penduar rëndë për atë që ka bërë, shkruan mendimi kritik brenda Periskopit.

Albumi ‘Self Loyalty’ kishte vlerë të jashtëzakonshme sa i përket zhvillimit të ‘soundit’ dhe vijave impresive melodike, pavarësisht se lirikisht qëndroi dobët, mbetet një projekt të cilin mund të kthehemi kohë pas kohe dhe ta dëgjojmë me dëshirë dhe melankoli për potencialin që kishte Fero si artist.

Me qëllim e thamë se ‘kishte’, pasi kohëve të fundit rrallëherë dëgjojmë për të sa i përket krijimeve muzikore dhe shumë më shpesh lexojmë e dëgjojmë për të bëmat e tij ditore ku përfshihet e dashura/gruaja, rrahje dhe gjërat e tilla që nuk kanë të bëjnë me art.

Përkundër asaj që mund të mendoni e të keni menduar dikur për Feron, njeriu ka qenë sensacion i vërtetë në kohën e tij të artë, teksa ktheu për mrekulli në avantazhin e vet rrjetet sociale dhe internetin, duke e shndërruar veten në një njeri të cilin të gjithë ‘dëshirojnë’ ta urrejnë, por nuk mund të qëndrojnë pa e komentuar.

Sidoqoftë, është e vështirë ta falim për atë që kishte bërë saktësisht sot, një vit më parë.

Më 28 nëntor të 2020-s, ai publikoi një këngë që është thjesht… oh Zot i madh, e tmerrshme.

Në bashkëpunim me ‘Trix’, u publikua kënga me titullin ‘Liria ka emër’ dhe është e drejtë të themi se është e krijuar me ‘algoritma’ për të tingëlluar keq.

Në fillim të këngës, dëgjohet një melodi mediokër në sfond me kitarë dhe ca elemente të tjera, por me t’u futur Fero në skenë, krijohet një melodi krejtësisht tjetër e që është absolutisht e tmerrshme për mënyrën si tingëllon, me reperin që mundohet të thur lavde për UÇK-në dhe komandantin legjendar Adem Jashari, por duke performuar në një nivel ultra-keq.

Në fakt, vargjet e Feros duken sikur të jenë krijuar nga një nxënës i shkollës fillore, teksa recitohen e nuk performohen.

Pastaj, muzika pëson ndryshime rrënjësore përsëri, teksa fillon pjesa e Trix, e këta i japin paksa një normalitet gjendjes me vargje e melodi normale dhe në rregull, asgjë më keq apo më mirë se këngët e tjera të kësaj natyreje.

Mirëpo, sikur të mos mjaftonte tmerri i pjesës së parë të Feros, ky rikthehet për të vazhduar përdhosjen në tentativë për t’i vënë vulë tmerrit.

Ai flet, nuk këndon, duke përdorur vargje të cilat janë nën nivel mediokër dhe përtej asaj që mund të pritet nga një artist me ndjekës e fanbazë aq të madhe sa pretendohet të ketë Fero.

Mund të vazhdojmë të elaborojmë nivelin e tmerrit sa të duam në këtë projekt, është aq i keq domethënë, por po e vendosim ta mbyllim këtu duke ua lënë juve që ta gjykoni edhe vetë më poshtë. /Periskopi.com/

Shpërndaje në: