Loja me fjalë të mëdha dhe kriza e narracioneve populiste

Loja me fjalë të mëdha dhe kriza e narracioneve populiste

Në Kosovën e çliruar nga Serbia mund t’i dallojmë dy tregime të mëdha, të cilat përveç se si realitete objektive, shërbejnë edhe si bazë që prodhojnë frymë politike, legjitimitet politik. 

Lufta e UCK-së apo vlerat e luftës të përkthyera në diskurs të nacionalizmit etnik është narrativa e parë e madhe. “Tregimi mbi Perëndimin’ apo vlerat liberale të përkthyera në diskurs demokratiko-liberal, është narrativa e dytë e madhe.

Mes tyre, pra mes vitesh 1999-2008, mund të flitet për procese politike, misione ndërkombëtare, por jo për ndonjë proces që ka shenuar kthesë të madhe në argumentimin tonë për tregime të mëdha.

Politikani që në maje të gjuhës e ka Millosheviqin, që tregon një rrëfim nga lufta, që këndo ndonjë këngë popullore, qe luan me simbole kombëtare është prototipi i tregimit të parë të madh. Teksa politikani që flet për paqe e dialog, merr pjesë në konferenca për të Drejta e Njeriut, flet për shoqëri të lirë e të hapur, di rrjedhshëm gjuhën angleze dhe mbështjell jaket e këmishës, është prototipi i tregimit të dytë të madh.

Që nga viti 2014 me Asociacionin e Komunave me shumicë serbe që më pas u bë i njohur si Zajednica, me demarkacionin me Malin e Zi, idetë për shkëmbimin e territoreve, Kosova ka hyrë intenzivisht në lojë të populizmit që ka shkaktuar stagnim politik meqë ka neutralizuar idetë specifike dhe institucionale për gjetjen e zgjidhjeve të problemeve në fjalë.

Operimi me “tregime të mëdha” është kryefjala e populizmit, si ideologji dhe si teknik politike. Kjo është kështu sepse në shoqëri të izoluara, tramumatike, post-konfliktuoze, të pazhilluara ekonomikisht, të varfëra kulturalisht, emocioni zëvendëson arsyen, iluzioni zëvendëson realen, prandaj edhe populizmi zëvendëson institucionalizmin. Prandaj, populizmi në Kosovë është para se gjithash produkt i rrethanave shoqërore, i vetëdijes socio-kulturore individuale, të individit të humbur post-konfliktuoz që përballet me pasigurinë dhe dramat e tranzicionit dhe shtetndërtimit.

Masat janë mobilizuar me këto tregime por që të dyja këto narracione për arsye të ndryshme jane futur në krizë, rrjedhimisht në pamundësi të prodhimit të frymës politike. Prandaj partitë politike po i shëndrrojnë çështjet teknike në kauza politike, po ndërtojnë struktura klienteliste, po maten me shpifje dhe premtime të rrjeshme sepse ndryshe s’mund të funksionojnë. Është një e keqe e domosdoshme.

Gjykata Speciale dhe aktakuzat e saj, sigurisht se pa të drejtë, ka hedhur re të zeza mbi tregimin e parë, kanë kontestuar, rrjedhimisht kanë lëkundur legjitimitetin e saj. Mungesa e sukseseve për integrimin e vendit, hapjen e tij, zhvillimin social dhe ekonomik të tij, demokratizimin e tij, ka goditur tregimin e dytë.

Futja në krizë të këtyre narracioneve reflekton krizë të brendshme dhe të jashtme. Krizë historike dhe kontekstuale. Jo vetëm krizë politike por shtetërore dhe shoqërore. E reflekton situatën e rënd-shumë të rënd ku gjendet Kosova, e cila nëse nuk këndellet dhe mobilizohet shpejt do të përballet me një status-quo që i ofron izolim të plotë ndërkombëtar dhe zhytje të thellë ekonomiko-sociale në moqalin ballkanik ku jetojmë.

Kriza e fjalëve të mëdha dhe funksionimi me narracione populiste ka shkaktuar kriza të vazhdueshme politike duke prodhuar stagnim serioz politik dhe historik që nga viti 2014 e deri më sot. Kosova ka nevojë për gjetjen e zgjidhjeve të shpejta, serioze, dhe të qëndrueshme. Kosovës i duhet një elitë profesionale, institucionale dhe pragmatiste politike.

(Qendrim Badalli është sociolog dhe opinionist kosovar)

Shpërndaje në: